“I thashë nuk të dua”, historia e dashurisë që nisi në kishë dhe u ndërpre nga lufta në ‘97

“I thashë nuk të dua”, historia e dashurisë që nisi në kishë dhe u ndërpre nga lufta në ‘97

17:28 24/12/2019

Në puntatën e sotme të emisionit “Historia Ime” në Tv Klan do të flasim për një histori të bukur dashurie. Çifti i bashkëshortëve Erjon dhe Entela Sylari i kanë patur shkëndijat e para që në fëmijëri. Ata janë dashuruar me druajtje dhe në heshtje që në moshën 12-vjeçare.

Të dy ishin pjesë e Kishës Ungjillore në Lushnje. Por i ndau viti i mbrapshtë ’97, për t’u ritakuar në vitin 2005 kur më në fund vendosën t’ia shprehnin hapur ndjenjat njëri-tjetrit dhe të martoheshin.

Familja e Entelës emigroi në Greqi për shkak të trazirave në Shqipëri. Pas largimit të saj, Erjoni nisi t’i shkruante letra, por asnjëra prej tyre nuk mori përgjigje.

Më pas vendosi që të shkonte në Athinë, ku dhe u takua me Entelën. Ai i shprehu ndjenjat hapur vajzës që donte. U deshën dy udhëtime të tij në Greqi që më në fund edhe Entela t’i përgjigjej dashurisë së Erjonit.

Gjatë bisedës në studio, ata na tregojnë si nisi gjithçka, shkëputja e tyre në vitin ’97 dhe më pas ritakimi dhe shprehja e ndjenjave.

Entela: Unë kam qenë 12 vjeç, Erjoni 15 vjeç. Ishim të organizuar tek grupi i të rinjve në një Kishë Ungjillore që në vitet ’93-’94 dhe bashkëpunonim së bashku për aktivitetet dhe projektet që kisha në atë kohë.

Erjoni: Secili ka ardhur nga lagje të ndryshme në qytetin e Lushnjes edhe nuk e njihnim fare njëri-tjetrin. Prindërit tanë njiheshin se Lushnja është e vogël edhe aty pastaj unë kam kuptuar që ne kishim diçka që duhet të na mbante më shumë se sa miq. Më pëlqeu brenda atij grupi të vogël tipi dhe solidariteti i saj dhe thashë kjo vajzë duhet të jetë patjetër gruaja ime. Isha 17-18 vjeç.

Entela: Atë vit familja ime emigroi, unë kam qenë 15 vjeç në vitin ’97. Bëra 15-vjetorin bashkë me të rinjtë dhe mami im e mbante mend Erjonin sepse ky shtyu gjithë rreshtin në fotografi për të dalë foto afër meje. Unë kam qenë më e brishtë, më e vogël. Emigrova në ’97, Erjoni vazhdoi Mjekësinë në Tiranë dhe jemi takuar pas 5 vitesh. Sepse ai guxoi të vinte të më gjente atje ku isha unë, në Athinë.

Mirela Milori: Gjatë këtyre 5 viteve patët kontakt?

Erjoni: Po, e vetmja mundësi atëherë ishte letrat sepse nuk kishte internet. Unë kam shkruajtur letra “dashuria” por i kujdesshëm sepse nuk doja që të frymëzoja diçka që vetë unë nuk e dija çfarë do ndodhte më vonë. Sepse ajo iku në Greqi, jeta fillon edhe merr tjetër nuancë, krijon tjetër shoqëri, tjetër pritshmëri nga njerëzit që ke aty, krijon jetën tënde, të ardhmen tënde në atë vend. Kështu që për mua ishte shumë e vështirë që të dilja në skenë si ai “princi” dhe ti duhet të lije çdo gjë që po e ndërtoje dhe të më ndiqje mua.

Mirela Milori: Po letrat që të dërgonte Entela si ishin?

Entela: Nuk kam dërguar letra. Më dukej e pamundur.

Mirela Milori: Ti nuk ju përgjigje letrave të tij. Ai të dërgoi 4 letra. Dhe kur takoheni ju për herë të parë pas gjithë kësaj periudhe?

Erjoni: Ka qenë vërtetë dora e Zotit, kam marrë vizën menjëherë dhe kam shkuar për Krishtlindje. E kam takuar Entelën në Athinë.

Entela: Ka qenë viti 2000 për 2001. Unë kam qenë 19 vjeç.

Erjoni: Unë kam qenë 21 vjeç. Ishte një Kishë Ungjillore atje që Entela ishte duke e frekuentuar, dhe unë shkoj atje dhe e takoj, përballem personalisht, por thjesht duke u përshëndetur. Ishte një dorë pak e ftohtë, ishte siç e kanë vajzat në fillim fare që janë të ndrojtura. Ishte shumë e vështirë për shkak të dy botëve që ne kishim.

Mirela Milori: Po çfarë i the ti?

Erjoni: E lamë të takoheshim në një nga këto Fast-Food në qendër të Athinës edhe kur ulem atje filloj edhe i them atë që unë ndjej. I thashë dy gjëra dhe shkoqur. I thashë, unë në fakt nuk të dua sepse për mua dashuria nuk është një emocion, është një vendim, është një zgjedhje. Unë thjesht më pëlqen si vajzë dhe nuk e di si do funksionojë. Nëse ne do të mendojmë të flasim me njëri-tjetrin, të planifikojmë gjëra së bashku, atëherë ne do të fillojmë drejt asaj që quhet dashuri. Por i thashë që ti nuk duhet të lidhesh sepse unë jam mjek, por duhet të lidhesh se ti duhet të njohësh personalitetin tim. Por unë të premtoj që do të dua gjithmonë, unë do të jem gjithmonë ndihmë edhe inkurajim për ty. Unë do jetoj në Shqipëri, i thashë, sepse e dua këtë vend dhe nuk mund ta lë dot Shqipërinë.

Entela: Unë kisha një pasiguri shumë të madhe sepse thosha ku e gjen ky djalë këtë guximin të vijë tek unë dhe të më thotë lere jetën që ti ke ndërtuar dhe hajde më ndiq mua. Më mori 2 vjet kohë nga momenti që ai bëri këtë deklaratë, deri sa ky bëri një surprizë tjetër pas një viti e gjysmë, duke ardhur nga Italia në Athinë. Dhe më tha, jam në Athinë, dëshiron të më takosh. Aty mora vendimin final, që nëse unë do ta takoj do t’i jap mundësinë që ne të dy të mund të vazhdojmë. Dhe ato ditë pastaj ishin të mrekullueshme.

Entela Sylaj në profesion është eksperte kompjuterike, por prej 15 vitesh drejton një kopësht privat. Një grua që ka zgjedhur për profesion një degë ekzakte, por që në jetë i është përkushtuar fëmijëve. Kurse bashkëshorti i saj, Erjoni, është mjek në profesion, por prej vitesh është pastor në një Kishë Ungjillore në Lushnje.  /tvklan.al



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi