Zyrtarët në Indi kanë urdhëruar një hetim pasi 16 persona u shtypën nga një tren mallrash në shtetin e Maharashtra. Sipas asaj që shkruan BBC, viktimat janë emigrantë të cilët i kishte zënë gjumi mbi shina, ndërsa po tentonin për të shkuar në një stacion për të marrë trenin për në shtëpi.

Kryeministri indian Narendra Modi tha se ndihej tmerrësisht i trishtuar për humbjen e këtyre jetëve.

Më herët gjatë këtij muaji, India vendosi në dispozicion trena të posaçëm për të transportuar emigrantët në shtëpitë e tyre në fshatra, pasi më qindra e mijëra persona mbetën rrugëve të qyteteve, kur vendi u vendos në shtetrrethim në Mars.

Shumë prej tyre u arratisën, duke ecur me qindra kilometra për t’u kthyer në shtëpi. Ndërsa disa të tjerë, pa strehë apo ushqim, humbën jetën rrugës, duke ngjallur shqetësim në vend për një krizë humanitare.

Ngjarja e së premtes vjen në një kohë kur në Indi ka nisur një operacion masiv evakuimi dhe rreth 15 mijë indianë të shpërndarë në 12 shtete të ndryshme pritet të rikthehen në shtëpi nëpërmjet 64 fluturimeve përgjatë javës së ardhshme./tvklan.al