Identifikimi biometrik, kush ka vendosur gishtin më shumë se 1 herë në pajisje duhet të shpjegohet



Identifikimi biometrik, kush ka vendosur gishtin më shumë se 1 herë në pajisje duhet të shpjegohet

11:27 06/05/2021

Në zgjedhjet e 25 Prillit pati risi pasi u përdor për herë të parë Pajisja për Identifikimin Elektronik. Mirëpo kjo pajisje duhej që të bënte regjistrimin e gjurmës së gishtit për çdo votues, por vetëm një herë. Megjithatë, KQZ deri më tani ka evidentuar se ka pasur nga ata që e kanë bërë, siç u shpreh Komisioneri Shtetëror, për “sport”. Por për “sport” ose jo, Celibashi u shpreh se kush e ka vendosur gishtin më shumë se 1 herë do duhet që të japë shpjegime para organeve kompetente. Ai tha gjatë një prononcimi për gazetarët se tani po punohet për përpunimin e të dhënave nga PIE-të dhe pas fazës së parë do të bëhet kryqëzimi i të gjitha të dhënave në serverin qendror.

“Nëpërmjet këtij procesi do të shikojmë nëse do të ketë raste të votimit të një zgjedhësi në disa raste në qendra votimi të ndryshme. Marr shkas edhe nga ato video që janë transmetuar në rrjete sociale. Ne e kemi thënë disa herë qëllimi i përdorimit të kësaj pajisje ka qenë që të regjistronte gjurmët e gishtit të atyre që shkonin për të votuar. Ata që kanë dashur ta provonin për sport ose për arsye të ndryshme do evidentohen dhe do duhet që të japin shpjegime para organeve.  Ata të cilët kanë thënë që pajisja nuk ka funksionuar pajisja ka funksionuar shumë mirë. Qëllimi ka qenë të evidentonte shenjat e gishtit të votuesve”, tha Celibashi.

Deri më tani nuk është bërë e ditur asnjë e dhënë se sa persona mund ta kenë shënuar më shumë se një herë gishtin në pajisje. Celibashi tha se më së shumti këto raste janë evidentuar me operatorët që janë marrë me pajisjen.

“Operatorët, ndoshta dhe jo mirë të trajnuar kanë menduar se nuk do kishte problem që ta vendosnin gishtin. Nëse është kjo mund të jetë problem teknik. Me siguri absolute mund të themi që dikush tjetër, përjashto operatorët e ka vendosur gishtin më shumë se njëherë është i detyruar të japi shpjegime se pse ka ndodhur”, u shpreh Celibashi.

Nënkomisionerja Pelinku u shpreh se nëse gjenden shkelje, materialet do t’i përcillen prokurorisë dhe do të jetë ajo që do të merret me verifikimet. /tvklan.al










Të ngjashme