Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi nuk ka depozituar asnjë “provë të re” apo kallëzim ndaj Olsi Ramës lidhur me çështjen e “Xibrakës”. Kështu thekson kryeministri i vendit Edi Rama i cili përmes një postimi në rrjetin social “X” thotë se sipas SPAK nuk ka asnjë kallëzim nga Bardhi, duke shtuar se ky i fundit “e ka shitur kallëzimin inekzistent te emisioni italian”.

Rama e cilëson gjithë këtë një “nivel të ri pafytyrësie” nga dikush që siç shkruan ai “s’mund të jetë burrë”…

“Kam bërë kallzim” po kallzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore! Hajde hajde ç’vete! Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë! S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës! Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë“, thotë Rama në reagimin e tij.

Edhe në vendimin zyrtar të SPAK, thuhet se është rrëzuar kallëzimi për shpifje i vëllait të kreut të qeverisë Olsi Rama, kjo si pasojë e mos pasjes së një kallëzimi nga ana e Gazment Bardhit.

“Nuk rezulton që nga ana e Gazment Bardhit apo ndonjë përfaqësuesi i tij të jetë depozituar kallëzim penal pranë prokurorisë apo oficerit të policisë gjyqore, që të konsiderohet se është paraqitur kallëzim. Organi procedues çmon se nëse Gazment Bardhi do të kishte depozituar kallëzim penal pranë SPAK ose policisë gjyqësore. Atëherë do të ishim para faktit për të regjistruar procedimin penal mbi kallëzimin e Olsi Ramës, për të hetuar nëse ishim ose jo para figurës së veprës penale të kallëzimit të rremë”, njofton SPAK.

Kujtojmë se Bardhi para pak kohësh deklaroi publikisht se do i dorëzonte në Prokurorinë e Posaçme “provat e reja” që sipas tij tregonin implikimin e Olsi Ramës në çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë.

Edhe në emisionin e 28 Marsit të “Opinion”, ai u shpreh: Vëllai i kryeministrit Edi Rama ka qenë i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrakë. Denoncimi që unë kam bërë sot është një analizë e plotë e të dhënave të dosjes penale dhe i kam krahasuar me të dhënat personale të sistemeve shtetërore që përdor vëllai i kryeministrit.

“Nesër në mëngjes, e kam firmosur kërkesën para se të vija në emision, do të dorëzoj të gjitha të dhënat në SPAK. Ky është dallimi im…”, shtoi Bardhi.

/tvklan.al