Në emisionin“Opinion” në Tv Klan, mbrëmjen e sotme është trajtuar tema e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Në një lidhje direkte me studion e “Opinion”, gazetari i Tv Klan Idro Seferi në Serbi, ka treguar se si është pritur kjo marrëveshje në Beograd.

Blendi Fevziu: Idro cili ka qenë reagimi i Beogradit për marrëveshjen?

Idro Seferi: Është parë si një marrëveshje e çuditshme e cila përbëhet nga tre elemente të ndryshme pra përveç asaj të Kosovës dhe Serbisë, çështjeve që mund të jenë politike, përmban edhe këto që diskutuat deri më tani, pra sidomos pjesët e ndjeshme me Izraelin, por edhe çështja e Hezbollahut dhe gjëra të ndryshme të tjera shihen si problematike në politikën e jashtme të Serbisë. Përgjithësisht Vuçiç është përkujdesur që kjo të jetë një marrëveshje e cila shihet si pozitive për shkak se shumë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe politikë, kanë reaguar pozitivisht menjëherë pas firmosjes së saj, por nuk është pritur si befasi sepse nuk ka patur se për çfarë të befasohen palët që si duket e kanë ditur se çfarë do të firmoset.

Blendi Fevziu: Po thoni që në Beograd ka një lloj mikpritje për marrëveshjen?

Idro Seferi: Patjetër për shkak se Vuçiç ka shumicën absolute këtu. Opozita në Serbi, e ka konsideruar marrëveshjen si të dëmshme. Pikat që opozita në Serbi i ka parë si problematike janë dhe kanë të bëjnë kryesisht me situatën që përfshin pjesën ku Kosova është përmendur si Republika e Kosovës dhe këto dokumente janë firmosur nga zyrtarët e Serbisë, por nga ana tjetër shihen si problematike edhe pjesët që sipas tyre, Vuçiç nuk ka arritur të negociojë, por thjesht ka pranuar se çfarë kanë paraqitur amerikanët. Gjithashtu në Serbi shihet si problematike pjesa që ka ngacmuar Turqinë dhe Rusinë sidomos me faktin që dënimin e Hezbollahut, Serbia bëhet bashkëpjesëmarrëse në këtë çështje dhe jo vetëm si vëzhguese. /tvklan.al