Pyetja e madhe është “çfarë e sjell Zhakun në Shqipëri pas kaq shumë vitesh?” Përgjigja është një projekt i bukur artistik, së bashku me Christianin, i cili do të rikthejë këngët e tyre së bashku, por pa lënë mënjanë as këngë të reja e të padëgjuara.

Projekti muzikor është menduar në formën e  një shfaqjeje “cabaret” dhe do të jetë te “Reja” e Tiranës, më datë 24 Qershor, në orën 20:00 të mbrëmjes.

E vetmja këngë që Zhaku ka menduar të mos rikthejë, është “A je në metro”, pasi kanë menduar të këndojnë këngët që kanë bërë së bashku, si “Censura”, “E paparaparë”, “Aman aman”, e cila ishte edhe kënga me të cilën konkurruan në “Kënga Magjike”, por vendosën të tërhiqeshin më vonë nga gara.

Rudina Magjistari: Nuk e di sa do të qëndrosh, por arsyeja kryesore është që keni një projekt shumë të bukur artistik, apo jo? Pas disa ditësh, në datën…

Inida Gjata: 24 Qershor, tek “Reja”. Do të bëjmë një performancë, nuk mund t’i themi koncert sepse fatkeqësisht nuk e kemi grupin me vete dhe nuk mund t’i bëjmë këngët të gjitha siç duhet t’i kishim bërë në koncert live, por po përpiqemi të krijojmë një show, një lloj kabareje, parodie, një gjë të bukur, ku të gjitha këngët që kemi bërë në këto vite, Christian dhe unë, t’i servirim përmes një lloj show me kostume, me efekte, me pak humor, ironi.

Rudina Magjistari: Ato janë këngë që janë shumë të veçanta në llojin e tyre, pak gjen të ngjashme, kështu që janë edhe shumë interesante për t’i ridëgjuar dhe që do të rikëndohen atje për të gjithë ata që i ka marrë malli.

Inida Gjata: Përveç “A je në metro”, ajo është një këngë shumë e vjetër, Christian ma thotë gjithnjë, e bën si batutë, por vetëm këngët që kemi bërë bashkë, “Censura”, “E paparaparë”, “Aman aman” kur kemi qenë te Arditi. Ne fatkeqësisht nuk e vazhduam garën, u tërhoqëm për arsye të tjera, ishte gabimi im. M’u kujtua ai fustani që e kam bërë për 3 minuta, e kam qepur vetë, por do të ketë shumë këngë të reja që njerëzit nuk i njohin fare.

Rudina Magjistari: Që i keni bërë tani, mbrapa?

Inida Gjata: Që i kemi bërë në vite edhe ato, por që nuk kanë qenë shumë publike dhe unë nuk e kam kuptuar dot asnjëherë pse këngët tona nuk transmetohen nëpër radio, nuk janë të pranishme sepse nuk më duken dhe aq keq, apo jo?

Rudina Magjistari: Jo, janë interesante, janë në një stil që nuk e ndesh shpesh.

Inida Gjata: Por, nuk e di, prandaj nuk i njohin njerëzit se nuk janë transmetuar, edhe ne nuk i kemi shkuar prapa, kështu që po të doni t’i dëgjoni, hajdeni te “Reja”. /tvklan.al