Në kulmin e tensioneve me Izraelin, Irani vijon të armatoset për të qenë gati për çdo përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme. Mediat iraniane bëjnë të ditur se brenda disa ditësh Teherani do të marrë grupin e parë të avionëve luftarakë rusë Su-35.

Bëhet fjalë për avionë luftarakë të gjeneratës së fundit, Sukhoi Su-35. Teherani i kishte blerë avionët luftarakë në nëntor, por dorëzimi i parë është planifikuar të bëhet në ditët në vijim.

Nuk janë dhënë detaje të tjera, por sipas raportimeve, Irani do të marrë gjithsej 24 avionë të rinj luftarakë.

Ministria e Mbrojtjes e Republikës Islamike njoftoi vitin e kaluar se vendi kishte blerë gjithashtu nga Rusia helikopterë sulmues Mi-28H dhe Yak-130.

Pas rënies së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila kishte për qëllim të ndalonte Iranin të merrte armë bërthamore dhe rivendosjes së sanksioneve perëndimore, Teherani ka intensifikuar marrëdhëniet e tij me Moskën.

Ndaj perëndimi e akuzon Iranin se po ndihmon Rusinë me mbështetje logjistike ushtarake në luftën e Moskës kundër Ukrainës, dhe konkretisht se Teherani furnizon qeverinë ruse me të ashtuquajturat drone “kamikaze”, të cilat sipas SHBA-së dhe jo vetëm, janë përdorur shumë herë në fushën e betejës.

Por Teherani nga ana e tij i ka mohuar që në fillim këto pretendime.

Tv Klan