Ish-gruaja: Shtëpi për të ishte lokali, nuk interesohej për fëmijët


Ish-gruaja: Shtëpi për të ishte lokali, nuk interesohej për fëmijët

19:44 19/07/2020

Seanca e ndërmjetësimit në “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan vendosi përballë njëri-tjetrit në ditën e sotme dy ish-bashkëshortë. Ata janë njohur para 22 vitesh, por martesa mes tyre nuk shkoi ashtu si e kishin menduar, prandaj para 3 vitesh vendosën të divorcohen.

Lindita dhe Agimi janë prindër të 3 fëmijëve dhe në studio rrëfyen problematikat në marrëdhënien e tyre. Lindita u shpreh se ish-bashkëshorti i saj ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, pinte dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në lokal.

Sipas saj edhe të ardhurat që ai merrte nga puna i harxhonte për pije dhe duhan. Nga ana tjetër, Agimi mohoi akuzat e ish-bashkëshortes, duke u shprehur se nuk ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Lindita: Si shumë premtime që kam mbajtur në familje me fëmijët e mi, do t’i mbaj një premtim edhe ish-bashkëshortit, që ia kam thënë prej më shumë se 3-4 vitesh, do shihemi tek zonja Eni. Ju keni folur me fjalë dhe unë do flas me letra sepse gjatë gjithë kohës së martesës, ish-bashkëshorti dhe ish-vjehrra kanë folur vetëm më fjalë, jashtë shpinës time dhe unë sot dua t’ia them me letra.

Eni Çobani: Për çfarë arsye jeni në këtë seancë ndërmjetësimi?

Lindita: Ne jemi njohur që para 22 vitesh, në vitin 1998 kemi bërë martesën, pas një njohje të shkurtër 6-mujore. Shkaku i kësaj martese ishte ish-vjehrra ime, e cila pas shumë interesimesh që kishte bërë për mua, kishte dëshirë që unë të bëhesha nusja e djalit të saj. Dhe me pretendimin që unë isha rritur pa nënë, që në moshën 12-vjeçare dhe kjo zonjë m’u duk e përshtatshme që ta kisha një nënë të dytë dhe vendosa që ta pranoj djalin e saj si bashkëshortin tim. Kjo martesë nuk funksionoi ashtu si ne patëm dëshirë. Zoti na ka bekuar me 3 fëmijë, me 3 djem, këta fëmijë duan edukatën e babait dhe të nënës, një përkushtim të devotshëm.

Eni Çobani: Çfarë ndodhi gjatë kësaj martese dhe cilat ishin ato arsye që ju e patë të arsyeshme më pas që të shkonit në divorc?

Lindita: Gjithmonë ish-bashkëshorti ishte në gjendje të dehur. Ai përveç punës, nga 100% që një njeri mund të ketë gjëra pozitive, ky vetëm punën kishte pozitive, që punonte. Por pjesa tjetër, shtëpia e dytë për të ishte lokali dhe jo shtëpia. Ne pas një viti martesë na erdhi në jetë djali i parë, por nuk pashë interesim të babait për fëmijën. Nuk donte t’ia dinte fare, që ky fëmijë ka edhe baba në shtëpi dhe jo vetëm nënën. Fëmijët duan një përkushtim të madh që t’i rrisësh, ndërkohë që isha dhe në marrëdhënie pune, por i ati nuk ia dha kurrë këtë përkushtim fëmijës, nuk donte t’ia dinte fare. Thjesht pinte dhe ushtronte dhunë, fizike dhe psikologjike.

Agim: Nuk kam bërë asnjë gjë, sa herë më ke futur ti në komisariat të Bulqizës. E para dhe e dyta, je gërvishtur sa të më futësh brenda, se më ke thënë do të fus brenda në burg, kjo është e paparë.

Lindita: Askush nuk të fut në polici, nëse ti nuk ushtron dhunë fizike dhe psikologjike në familje. Përse nuk të kam denoncuar pas kohës që jemi ndarë?

Agim: Ti asnjëherë nuk ke patur marrëdhënie me mua!

Lindita: Sepse ke qenë në lokal dhe nuk komandohet gruaja nga lokali, por nga shtëpia.

Agim: Edhe 500 mijë lekë të vjetra çdo muaj i ke marrë ti.

Lindita: Lekët i ke lënë në lokal, i ke lënë lekët skedina, i ke lënë me pije në lokal dhe i ke lënë duhan. Ti nuk i ke sjellë lekët në shtëpi.

Agim: Nuk ke patur asnjë lloj harmonie me mua!

Lindita: Çfarë ke bërë ti për ato 3 fëmijë?

Agim: Ke dashur të më futësh dhe në burg, më ke thënë o do të fut unë ty në burg ose nuk ka.

Lindita: E ke kërkuar policinë sepse ke ushtruar dhunë në familje. Absolutisht, flasin letrat kemi vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe gjykatës së apelit.

Agim: Je gërvishtur atëherë, me shenja dhe ke shkuar të më futësh brenda.

Lindita: Jo absolutisht, ti vazhdo të gënjesh edhe këtu sot, ke gënjyer edhe në gjykatë.

Agim: U tha të bëhet ekspertiza, o ky në burg o unë, kjo nuk ka pranuar, ka ikur direkt. Pse ike?/tvklan.al




Të ngjashme