Shqiptari kandidat për “Lojtarin e sezonit” dhe “sulmuesin më të mirë” në Kampionat

Mirlind Daku është nominuar për çmimet “Lojtari më i mirë i sezonit” dhe Sulmuesi më i mirë” në Superligën ruse të futbollit. Sulmuesit kuqezi i ka mjaftuar shumë pak kohë për të qenë vendimtar me Rubin Kazan, duke qenë lojtari më efikas për klubin.

Daku ka arritur të shënojë shtatë gola në 29 ndeshje në të gjitha garat, ku dhe ka arritur të dhurojë katër asistime. Ai gjithashtu është nominuar për çmimin e debutuesit të vitit dhe për asistimin e vitit.

Votimi i fansave do të zgjasë nga data 2 maj deri më 13 maj, kurse pjesa tjetër varet nga votat e ekspertëve, të cilët do të kenë mundësi nga 15 maj deri më 24 maj. Futbollisti shqiptar u transferua te Rubin Kazan gjatë merkatos verore nga skuadra e Osijek për 1.2 milionë euro. 

Kapërcimi në Superligën ruse ka shërbyer edhe si trampolinë për 26-vjeçarin, i grumbulluar për herë të parë edhe me kombëtaren shqiptare. Gjithashtu, Daku është një ndër alternativat e Sylvinhos për tu grumbulluar nga kuqezinjtë në Kampionatin Europian të kësaj vere.

Klan News