“Jam me fat që kam lindur e verbër dhe nuk e kam të fituar”. Kështu e nis rrëfimin tek emisioni “Historia ime” në Tv Klan, 28-vjeçaria Doljana Velia forca e së cilës të mahnit. Ajo ka lindur në një fshat në Mallakastër dhe në moshën 5 vjeç ka shkuar të jetojë në Vlorë. Me një natyrë energjike dhe plot optimizëm ajo ka mposhtur pamundësinë e te parit duke fuqizuar çdo shqise tjetër. Doljana rrëfen se i njeh njerëzit nëpërmjet emocioneve. Nëna e saj ka qenë njeriu që i ka dhëne forcën më të madhe për t’ja dalë.

Doljana ka përfunduar dy fakultete, Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim dhe Psikologji. Doljana rrëfen se ka kaluar një fëmijëri të bukur në Vlore. Në moshën 17-vjeçare ajo erdhi ne Tirane. Filloi Liceun Artistik dhe aty ruan kujtime shumë të bukura. Ajo është aktivizuar që në moshën 17-vjeçare si vullnetare në organizata për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Aktualisht bën seanca këshillimi psikologjike online.

Doljana Velia: Unë jam mirënjohëse gjithë kësaj që kam kaluar.

Mirela Milori: Le të flasim për formimin tënd akademik. Si vazhdoi më tej pas shkollës në Vlorë.

Doljana Velia: Formimi im akademik ka vazhduar në një formë që nëse mua do më ktheje në kohë dhe do më thuaje ta shkruaja me laps e letër se çfarë do doja, asnjëherë nuk do të mundesha ta dizajnoja  aq bukur sa ka ardhur kaq natyrshëm.

Doljana ka treguar se kur ishte në moshën 7 vjeçare një shoqatë italiane ka hapur një shkollë gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët. Klasën e 9 e bëri në Institutin e të verbërve në Tiranë dhe më pas filloi gjimnazin.

Doljana Velia: Vazhdova Liceun Artistik për kanto, performim muzikor dhe kanë qenë 4 vite të jashtëzakonshme sepse në Lice ka artistë, por mbi të gjitha artistë në shpirt, pastaj në profesion. Unë aty arrita të formëzoj identitetin tim.

Doljana tregon se që e vogël ka filluar të meditojë sepse edhe shtëpia private që kishin në Vlorë i ofronte shumë mundësi. Ajo shprehet se notin e  ka pasion dhe e ka mësuar kur ishte 7 vjeç.

Mirela Milori: Si mund të notojë një njeri që nuk shikon?

Doljana Velia: Padyshim që noton, unë bëj shaka me miqtë e mi dhe i them nëse ju e dini notin, jeni ok me mua sepse unë mund të iki tutje, por për tu kthyer më duhen një çikë. Dhe me anë të zërit, nëse unë në rrugë kam nevojë për shoqëri, në det nuk kam nevojë. Mjafton të dëgjoj zërin dhe kthehem. Jeta është më shumë e thjeshte, ne e ndërlikojmë.

Mirela Milori: Ke pasur ndonjëherë frikë në det?

Doljana Velia: Unë frikë kam vetëm nga tërmeti. Nuk kam frikë në det, madje kam një vetëbesim të tepruar, ndoshta sepse nuk kam patur ndonjë lloj incidenti sepse incidentet janë dhe ato që na krijojnë fobitë.

Mirela Milori: Deti të bëri të futesh në meditim, raporti me detin, raporti me lirinë, notin.

Doljana Velia: Me natyrën, unë kur isha e vogël e dija lagjen me milimetra dhe shpesh herë krijoheshin situata komike sepse kur kam qenë unë e vogël ishte periudhë që iknin dritat dhe kur iknin ishte shumë interesante sepse unë filloja dhe qeshja me shokët dhe shoqet. Isha unë ajo që merrja situatën në dorë për t’i orientuar.

Doljana tregon se ka pasion edhe udhëtimet ku ka realizuar shumë të tilla si brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe është aktivizuar në aktivitete të ndryshme. /tvklan.al