Në një lidhje me Skype në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë këngëtari i njohur Vedat Ademi i cili prej 4 vitesh jeton në SHBA me bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, duke munguar kështu në muzikë. Së fundmi ai ka publikuar projektin e tij më të re të titulluar “Kënga jonë”, një këngë mjaft romatike dhe e bukur. I pyetur nga moderatorja Rudina Magjistari se pse u largua nga Shqipëria me familjen dhe a e ka në plan që të rikthehet sërish, këngëtari shprehet se ka shkuar për të ruajtur Green Card dhe për të marrë pasaportën. Dëshira e tyre është që të rikthehen në Shqipëri dhe pasi të marrin pasaportat, mund të vijnë të jetojnë sërish këtu.

Rudina Magjistari: Dua të di arsyen pse shkuat në SHBA dhe pse pikërisht aty. Ke ndonjë moment pendese, e mendon ndonjëherë të kthehesh në Shqipëri?

Vedat Ademi: Vendimi ishte familjar normalisht, unë kam që në 2010 që shkoj e vij në Amerikë, për shumë vite u bë si sakrificë që ne vinim me valixhe e ktheheshim për të ruajtur Green Card, edhe me fëmijët bëhet më e vështirë pastaj, udhëtimi i gjatë. Menduam të vinim të provonim edhe mundësitë tona këtej, sigurisht edhe për t’u pajisur me pasaportë. Pishman nuk jam bërë sepse njeriu sfidon gjithmonë veten me gjëra të reja edhe besoj se gjithçka në jetë na shërben si eksperiencë. Kemi qenë mirë, kemi gjetur shoqëri të mirë, bashkëshortja ka pasur mundësinë të ushtrojë profesionin e vetë me punë dhe pozita shumë të mira nëpër kompani dhe korporata më të mëdhaja në Amerikë. Por jemi prapë me idenë për t’u kthyer, duke qenë se investimi ndër vite është bërë për muzikën. Neve na mungon familja, shoqëria, kështu që nuk është jashtë mundësisë të kthehemi pasi të pajisemi me pasaporta. 

Vedati shprehet se edhe pse fëmijet e tij kanë filluar jetën në SHBA, ata mund të përshtaten në Shqipëri, madje djali i madh shpreh shpesh herë dëshirën për t’u kthyer. /tvklan.al