Bashkimi Europian nuk e mbështet pavarësinë e Katalonjës dhe nuk do të bëjë ndërmjetësin me qeverinë spanjolle. Deklarata vjen nga presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, gjatë një fjalimi në një Universitet në Luksemburg.

“Nëse ne e lejojmë Katalonjën e pavarur, diçka që për më tepër nuk është puna jonë, edhe të tjerë do të kërkonin diçka të ngjashme dhe ne nuk e duam këtë. Nuk do dëshiroja që Bashkimi Europian të kishte 90 shtete pas 15 vjetësh”.

Presidenti Juncker shprehu mbështetjen te qeveria e kryeministrit Mariano Rahoi, të cilit i bëri thirrje të kthejë situatën nën kontroll.

Kryeministri Rahoi i ka lënë afat deri të hënën autoriteteve rajonale të vendosin nëse e kanë shpallur apo jo pavarësinë.

Juncker foli edhe për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga BE, duke thënë se Londra duhet të paguajë një më një detyrimet që i ka Bashkimit Europian, për të filluar më pas bisedimet për marrdhënien e re që Brukseli dhe Londra do të kenë pas Brexit.

Tv Klan