“Deklaroj me bindje të plotë se jam i pafajshëm”

Në Gjykatën Speciale të Hagës ishte radha e Kadri Veselit. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës u akuzua në seancë për një sërë krimesh, si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, por edhe përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave. Pasi dëgjoi të gjitha akuzat, Veseli tha shkurt se e deklaronte veten të pafajshëm.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”.

Avokati i tij mbrojtës kërkoi lirimin e Veselit derisa të fillojë procesi gjyqësor, ndërsa lexoi në sallë edhe një deklaratë të klientit të tij.

“Edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre. Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni. Unë jam i bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojë të gjitha faktet, ka për të konkluduar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se UÇK ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme”.

Gjatë luftës, Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Aktakuza kundër tij u konfirmua më 26 Tetor. Ai u arrestua më 5 Nëntor dhe dërgua në paraburgimin e Hagës. Veseli ka një aktakuzë të përbashkët me ish-Presidentin Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe ish-kreun e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Ky i fundit do të dalë të mërkurën para gjykatës.

Tv Klan