Po qe e nevojshme them se duhet të dalë edhe ushtria. Nga ky fenomen o ndahemi tani, o nuk ndahemi më”.

Kjo deklaratë e pak ditëve më parë e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani për të angazhuar forcat e Armatosura në luftën kundër kanabisit solli reagimin e disa prej ministrave socialistë. Ministrja e Mbrojtjes dhe ai i Brendshëm i cilësuan të pasakta dhe joserioze deklaratat e Manjanit.

Ministri i Drejtësisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, në reagim ndaj deklaratave të ministres së Mbrojtjes, i mëshon idesë se çështja e kanabisit në vend është tejet serioze.

Ylli Manjani, ministër i Drejtësisë: 

Nuk ka gjë më serioze sesa të shërbesh në një detyrë publike! Të shërbesh si ministër është edhe më serioze! Kështu që diskutimi mbi seriozitetin e të qenit serioz është i pa vend.

E fundit gjë që kisha menduar dhe ende e mendoj është të bëj polemika publike me kolegët ministra. Qeveria është një institucion kushtetues i rëndësishëm që bazohet në ligjshmëri, kolegjialitet, përgjegjësi, solidaritet por edhe konfidencialitet! Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyre që kërcënojnë sigurinë tonë publike! Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim! Kjo nuk është batutë, por realitet shumë serioz! Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike!

Ministri i Drejtësisë thotë se fajtorët për kultivimin e kanabisit duhen kërkuar më shumë tek mos zbatimi i ligjit. Ndërsa ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri propozoi në fundjavë ndryshime në kodin penal, për të ashpërsuar dënimet për ata që kultivojnë bimë narkotike./ TV KLAN