Gjergj Prenga, 17 vjeç, nga Mirdita, prej pak vitesh jeton në Tiranë, në familjen e motrës, për të ndjekur shkollën. Është nxënës në shkollën e mesme profesionale Teknike Elektrike “Gjergj Canco”, në vitin e tretë.

Prej një viti është viktimë e bullizmit nga disa bashkëmoshatarë të tij të cilët fillimisht i ka pasur në klasë, më pas për shkak të profilizimit kanë kaluar klasë paralele. Fillimisht ata e tallnin dhe e fyenin për faktin se Gjergji ishte i ardhur nga një provincë.

Më pas, kanë shtuar dozën e talljeve ndaj tij, kur kanë mësuar se Gjergji është mbështetës i lëvizjes LGBTI, kjo për shkak të natyrës së tij sociale, ndaj aktivizohet në mbështetje të organizatave të ndryshme, siç është dhe pjesë e “Fundjavës Ndryshe”.

Mirela Milori: Ti je nga Mirdita, 17 vjeç dhe studion në Tiranë në një shkollë profesionale mesa di. Si të duket shkolla?

Gjergj Prenga: Na ana profesionale është mirë, por nga ana shoqërore ka ato plagët e veta.

Mirela Milori: Më ke thënë se ti je bullizuar në fillim nga theksi apo jo?

Gjergj Prenga: Po jam bullizuar nga theksi, pastaj jam bullizuar nga pjesa e angazhimeve në kauza të ndryshme.

Mirela Milori: Si ndodhi ky bullizim?

Gjergj Prega: Vjet ishte viti i parë që shkova në atë shkollë nga një shkollë tjetër profesionale private në Mirditë. Gjithçka nisi nga theksi. Isha një nxënës i ri, nisa të merresha me shoqata, në organizata dhe ata gjithmonë më ofendonin, më thoshin çfarë të duhet ty të merresh me atë punë.

Mirela Milori: Ti ke mbrojtur kauzën e LGBTI-ve?

Gjergj Prega: Po unë kam qenë edhe dy vite pjesë e “Fundjave Ndryshe”, duke e mbrojtur këtë kauz.

Mirela Milori: Ti dole publikisht në mbrojtje të kauzës së njerëzve me prirje seksuale të ndryshme, homoseksualë. E mbroje këtë kauz në shkollë apo jashtë shkolle?

Gjergj Prenga: Jo në aktivitete të ndryshme, jashtë saj. Unë kam mbrojtur edhe shumë kauza të tjera jo vetëm këtë. Kanë qenë pjesë e “Fundjavës Ndryshe”, kam qenë pjesë e Teatrit Kombëtar, ku ishim për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kam marrë pjesë nëpër trajnime për trafikimin e qënieve njerëzore. Jam njeri që dua të përçoj tek nejrëzit vetëm drejtësi, sensibilizim dhe mundohem të sakrifikoj që të jap një mesazh. Ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të ndryshojë.

Mirela Milori: Të përfshihesh në një kauz me LGBTI-të ti e kupton që ka një lloj stigme, ka një lloj paragjykimi dhe ti e ndjeve këtë gjë në shkollë.

Gjergj Prenga: Po në shkollë filluan paragjykimet.

Mirela Milori: Ishte një shumicë klase apo një grupim njerzish që të bullizonin?

Gjergj Prenga: Në fillim u sillnin mirë, pastaj filluan të kapeshin me theksin tim, pastaj tek kauzat e mia, filluan të cënonin personalitetin tim derisa unë bëra një ankesë tek zysha kujdestare. Mund të ishin 10 persona që ngacmonin. Vinin e më thoshin, Gjergj çfarë ke qejf ti, ke qejf të flesh një natë kështu…  domethënë më ngacmonin në lidhje me prirjen time seksuale. Unë vazhdoja e mbaja veten të fortë para atyre dhe i thoja përfshihuni edhe juve sepse ju bën më social, të sensibilizohemi të gjithë sepse nuk mund të vazhdojnë kështu gjërat sepse duke vazhduar ata të dhjetë, bashkohen e dhjetë të tjerë sepse ata ishin më shumë kurse unë vetëm një isha. /tvklan.al