Situatë alarmante me shërbimet. Të monitorohet puna e bashkisë

Situata e rëndë në menaxhimin e punëve të qytetit, rrugët e lëna në mëshirë të fatit, plehrat që nuk pastrohen nëpër qytet dhe një indiferentizëm “fyes” ndaj Vlorës, janë shkaqet që ky Këshilli Bashkiak kërkon një ballafaqim me kryetarin Dritan Leli. Të gjitha arsyet renditen në një ftesë që gjendet në tryezën e Lelit dhe që është firmosur nga 45 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës, të cilët kërkojnë edhe ngritjen e një komisioni që do të monitorojë punën e bashkisë.

“Nisur nga shqetësimi i rritur i komunitetit vlonjat për gjendjen e pashpjegueshme të shërbimeve vendore, kërkohet sa më parë një ballafaqim publik me Kryetarin e Bashkisë. Gjithashtu vlerësojmë se duhet ngritur menjëherë një komision monitorimi i këshillit për shërbimet publike të Bashkisë Vlorë. Situata alarmante me shërbimet bazike të pastrimit, mirëmbajtjes, ndriçimit dhe me trajtimin e ankesave dhe të problemeve të qytetarëve, kërkon reagim të menjëhershëm”.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak thonë se niveli i shërbimeve ka rënë dhe vetë ata ndjejnë përgjegjësi në përfaqësimin e shqetësimeve të qytetarëve që po shtohen dita ditës.

“Kur qeveria dhe shteti kanë bërë gjithçka për të lehtësuar sezonin turistik, Bashkia Vlorë nuk mund të kthehet në delen e zezë të turizmit shqiptar për plehra, gropa dhe indiferentizëm fyes nga pushteti vendor. Në mbledhje duhet të ftohen edhe deputetët e Vlorës, përfshirë edhe kryeministrin dhe deputetin tonë Z. Edi Rama”.

Reagimi i Këshillit Bashkiak vjen pas situatës së krijuar në Vlorë në prag të sezonit turistik, që e ka gjetur qytetin mes plehrave, pluhurit, gropave e baltës së rrugëve të paasfaltuara. Investimet në infrastrukturën e brendshme mungojnë prej vitesh dhe banorët kanë bërë thirrje të vazhdueshme pranë bashkisë që pamja e kryeqendrës së bregdetit të jugut të mos i ngjajë rrënimit të viteve ‘90. Miliona Euro janë investuar në projektin e Lungomares, me qëllimin që Vlora të bëhet më atraktive për turistët, ndërkohë që po nga qeveria është investuar edhe në pjesën e vjetër të qytetit. Por këto investime janë në kontrast të dukshëm me shërbimet që ofron pushteti vendor, teksa Vlora synon të tërheqë sa më shumë vizitorë gjatë sezonit.

Tv Klan