BSH: Presim rritje më të shpejtë ekonomike, 2021 mund të arrijë në 5.3%

Banka e Shqipërisë ka rritur vlerësimet për rritjen ekonomike të vendit nga 4.9 në 5.3% për këtë vit.

Guvernatori Gent Sejko tha në një konferencë për shtyp se të gjitha analizat dhe zhvillimet e 3 muajve të parë të këtij viti: situata e pandemisë, eksportet, kërkesa e brendshme dhe ritmi i kredisë janë sinjale për një rikuperim të ekonomisë më shpejt se sa mendohej.

“Vijimi vaksinimit në vend dhe botë, do t’i hapin rrugë aktivitetit ekonomik. Projektojmë rimëkëmbje me ritme të qëndrueshme këtë vit dhe në vitin 2022. Zgjerimi pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i kosnumit, eksportet dhe investimet private, presim rritje të punësimit dhe pagave”.

Rritja ekonomike këtë vit do të mbështetet edhe nga një sezon i mirë turisik ndërsa politikat e qeverisë për të dhënë stimul ekonomik janë të fokusuara në shtimin e investimeve si në fushën e infrastrukturës dhe procesit të rindërtimit.

“Mbështetja në politika ekonomike dhe stimuj këtë vit është përmes investimeve publike në infrastrukturë dhe procesit të rindërtimit”.

Në këtë panoramë, Këshilli Mbikëqyrës tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore që të rikthejnë vëmendjen te reformat, përmirësimi i klimës së biznesit dhe shëndoshjen e financave të vendit.

“Theksojmë se normalizimi i situatës ekonomike duhet të sjellë në fokus të vendimarrësve axhendën e reformave strukturore”.

Drita në fund të tunelit për ekonominë mund të jetë ende larg nëse ka përkeqësim të ecurisë së epidemisë, ndërsa niveli i konsumit ende nuk është në flukset e viteve përpara pandemisë.

Këshilli Mbikëqyrës nuk ndryshoi normën bazë të interesit për Lekun, por njoftoi se nuk do të ketë normalizim të nivelit të ulët të tij prej 0.5% në horizontin afatmesëm.

Tv Klan