Qeveria pritet të përballet me presion pasi i duhet të marrë masa që çiftet të bëjnë më shumë fëmijë

Kina do të raportojë rënien e saj të parë të popullsisë në pesë dekada. Një rënie e popullsisë do të shtojë presionin mbi Pekinin për të marrë masa për të inkurajuar çiftet të kenë më shumë fëmijë dhe për të shmangur një rënie të pakthyeshme.

Byroja Kombëtare e Statistikave pritet të lëshojë rezultatet e regjistrimit të kryer në fund të vitit të kaluar. Shifra e popullsisë nuk do të publikohet derisa departamentet qeveritare të kenë një konsensus mbi të dhënat dhe implikimet e tyre, shkruan Financial Times.

Në muajt e fundit, media shtetërore e Kinës ka thënë që popullsia mund të fillojë të tkurret në vitet e ardhshme. Në vitin 2016, Kina hoqi një politikë për një fëmijë me shpresën për të rritur numrin e foshnjave. Në atë kohë, ajo gjithashtu vendosi një objektiv për të rritur popullsinë e saj në rreth 1.42 miliardë deri në vitin 2020, nga 1.34 miliardë që ishte në 2010.

Por niveli i lindjeve ka vazhduar të bjerë, kjo pjesërisht sepse çiftet në zonat urbane, veçanërisht ata të lindur pas vitit 1990 e vlerësojnë më shumë pavarësinë dhe karrierën e tyre sesa ngritjen e një familje, pavarësisht presionit të prindërve për të pasur fëmijë.

Kostot në rritje të jetesës në qytetet e mëdha kanë penguar gjithashtu çiftet. Rënia e nivelit të lindjeve do të shtojë presionin mbi popullsinë në moshë pune. Ekspertët kanë bërë të ditur se Kina duhet të pranojë që situata e saj demografike ka ndryshuar.

Klan News