“Borxhi publik dhe deficiti buxhetor më i lartë se vlerësimi i qeverisë”

Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre shqetësime serioze në raportin e buxhetit faktik 2019 për rritjen shpejtë të detyrimeve të prapambetura të autoriteteve publike ndaj palëve të treta.

Në auditimet e kryera në thesarin e shtetit, KLSH ka konstatuar se në fund të vitit 2019, faturat e papaguara kapën vlerën e 390 milionë dollarëve, shumica e të cilave i përkasin kontratave të investimeve publike, stokut të parimbursuar të TVSH-së, pushtetit vendor dhe vendimeve gjyqësore.

“Krijimi i detyrimeve të prapambetura është një fenomen në rritje si pasojë e thyerjeve në vazhdimësi e procedurave miratuese të angazhimeve buxhetore. Balanca progresive e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2019-s është 43.5% më e lartë se një vit më parë.”

Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se ka gjetur detyrime më të larta se ato që ka raportuar Ministria e Financave si për pushtetin vendor dhe qendror edhe për stokun e TVSH-së së parimbursuar, ndërsa konstaton se fatura e borxheve është më e madhe nëse do të llogariteshin dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

“Detyrimet për vendime gjyqësore ndërkombëtare nuk raportohen në kundërshtim me udhëzimin “Për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”.

Sipas KLSH-së, niveli i deficitit buxhetor në vitin 2019, është 0.4% më i lartë se ai i vlerësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e si rrjedhojë edhe niveli i borxhit në fund të 2019-s arriti në 66.7% e prodhimit kombëtar, nga është 66.3% që e raportoi qeveria.

Tv Klan