BB: Humbjet dyfishohen nëse ka mbyllje të dytë

Mbyllja për 3 muaj e aktivitetit ekonomik gjatë periudhës së pranverës ka sjellë një humbje prej 250 milionë eurosh për bilancet e kompanive që operojnë në Shqipëri, e cila kërcënon të dyfishohet në skenarin e një  mbyllje të dytë të saj.

Sipas Bankës Botërore humbja neto e bizneseve gjatë karantinimit është sa 1.6% e prodhimit kombëtar të vendit, e cila mund të shkojë sa 3.8% e PBB-së nëse ka një periudhë të dytë masash represive.

“Ndikimi në të gjithë ekonominë e gjerë është i madh, duke përfshirë rënie të taksave, rritje të borxhit dhe të papunësisë”.

Megjithatë kriza dhe humbjet që përjetuan kompanitë shqiptare në këtë periudhë nuk ka shkaktuar faliment të tyre. Përmes analizës së bilanceve zyrtare të firmave që operojnë në Shqipëri, Banka Botërore ka dalë në përfundimin se pavarësisht karantinimit, 61% e bizneseve sërish mbeten fitimprurëse.

“Gjatë një mbyllje 3-mujore të ekonomisë, ne vlerësojmë se 61% e kompanive mbeten fitimprurëse edhe pse 86% e atyre në sektorët shumë të afektuar kanë regjistruar humbje. Por një zgjatje më tej e masave do të regjistronte humbje të konsiderueshme e do të rriste presionin e tyre për të marrë hua në mënyrë që të mbijetojnë”.

Raporti thotë se përmes masave mbështetëse të qeverisë në subvencionimin e pagave dhe të kostove të të bërit biznes, shumë kompani mund të mbijetojnë këtë krizë, ndërsa shanset për t’u rikuperuar nëse ka një mbyllje të dytë ulen ndjeshëm. Gjysma e kompanive do të rezultonin me bilanc negativ nëse pandemia dhe masat shtrënguese do të riktheheshin dhe njëherë.

Tv Klan