Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ftojnë të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në Konferencën III Ndërkombëtare të Arkivistikës.

Më 14 dhe 15 Qershor 2019 do të zhvillohet në Shkup Konferenca e tretë Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që tashmë është kthyer në traditë, pas dy konferencave mbarkombëtare të zhvilluara në Tiranë dhe Prishtinë.

Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushën e arkivistikës.

Gjatë gjithë shek.XX, viset e Ballkanit kanë kaluar fate të ngjashme, duke qenë subjekte të herë pas hershme të ndryshimeve administrative dhe demografike, kanë kaluar periudha të ndryshme konfliktesh të armatosura, kurse fillimi i shek.XXI i gjeti duke aspiruar për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Ndryshimet e çfarëdollojshme kanë reflektuar realitetin e tyre në arkiva, jo vetëm përmes dokumenteve të prodhuara dhe të arkivuara, por edhe përmes impaktit në ligjet apo rregulloret përkatëse për arkivat, metodat e punës arkivore dhe në mënyrat e shfrytëzimit; misioni thelbësor i arkivave ka ndryshuar në varësi të sistemit qeverisës.

Temat që propozohen për diskutim janë:

 

Ndërkulturalizmi në Ballkan; Të drejtat e njeriut; Arkivat nën regjimet represive; Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare; Arkivat dhe krijimtaria artistike; Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale; Arkivat, mjedisi natyror dhe katastrofat mjedisore; Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore; Të drejtat e autorit dhe pasuria intelektuale; Sistemet informatike dhe ruajtja digitale.

Abstraktet pranohen deri më datë 12 Maj 2019 në gjuhët e Europës Perëndimore, shqip dhe maqedonisht.

Për më shumë informacion shikoni njoftimin ne faqet e web-it të DPA,

www.albarchive.gov.al

, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

/tvklan.al