Dhoma e Ulët e Kongresit Amerikan do të bëjë këtë të shtunë një përpjekje për të miratuar paketën e madhe të ndihmës financiare për Ukrainën për t’I bërë ballë sulmit rus, me vlerë mbi 60 miliardë Dollarë. Përpjekja pritet të shkaktojë sërish tensione mes republikanëve që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që mund të çojnë edhe në shkarkimin e kreut të kësaj dhome, republikanit Majk Xhonson.

Ishte pikërisht Xhonson që nxiti dërgimin për votim të kësaj pakete, së bashku me 3 paketa të tjera ndihmash, përfshirë edhe atë për Izraelin, që në total arrijnë në 95 miliardë dollarë. Në votimin procedurial të së premtes, 165 demokratë bashkuan votat me 151 republikanë, për t’i kaluar këto paketa për votim këtë të shtunë. Krahu konservator i republikanëve që votoi kundër, paralajmëroi se do të nisë një mocion për shkarkimin e Xhonsonit, ashtu siç bënë me Kevin Mekarthin, Tetorin e kaluar.

Ata janë kundër ndihmës për Ukrainën, pasi e konsiderojnë të kushtueshme, ndërsa duan që ato para të shpenzohen për çështje të tjera brenda SHBA-së. Ndërsa të majtët brenda demokratëve votuan kundër votimit ndihmës për Izraelin, pasi siç thonë, do u shtojë vuajtjet civilëve palestinezë.

Tv Klan