Përplasja e dy makinave në rrugën nacionale Korçë – Bilisht ka shkaktuar dy viktima dhe 3 të plagosur. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pranë kryqëzimit të fshatit Plasë.

Një furgon mallrash u përplas me autoveturën ku po udhëtonin 4 policë të burgut të Drenovës. Ata nuk ndodheshin në shërbim, por po ktheheshin nga ceremonia e varrimit të një kolegu të tyre.

Viktima në këtë aksident mbetën Fatmir Islamaj dhe Agim Beshi, kurse të plagosur policët e burgut, Neshat Olldashi, Luan Kreka. I plagosur ka mbetur edhe drejtuesi i furgonit, Idajet Gozhdari.

Nuk dihen saktësisht shkaqet e aksidentit, por paraprakisht dyshohet që shkak të jetë bërë një manovrim i gabuar i makinës ku po udhëtonin policët e burgut të Drenovës.

Automjeti i tyre ka hyrë menjëherë në rrugën kryesore, ku është përplasur me furgonin e mallrave. Përplasja ka qenë e fortë duke bërë që një prej policëve të humbë jetën në vend, ndërsa kolegu i tij ndërroi jetë në spital.

Për ngjarjen është ngritur një grup hetimor.

Një tjetër aksident ndodhi në autostradën Tiranë – Durrës, ku një 50 – vjeçar ka humbur jetën pas përplasjes nga një automjet në tentativë për të kaluar nga njëri krah në tjetrin. Drejtuesi i mjetit është ndaluar deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Edhe një 58 – vjeçar nga Skrapari humbi jetën pasi zetori i tij u përmbys duke i shkaktuar vdekjen.

Tv Klan