Shtypshkronja shtetërore austriake e ka fituar çështjen ligjore kundër qeverisë së Kosovës, nga e cila ka kërkuar kompensim për shkak të vonesës në pagesa dhe për shkak të anulimit të parakohshëm të kontratës për dorëzimin e pasaportave biometrike, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.

Gjykata e Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris vendosi në favor të shtypshkronjës austriake, dhe vendimi parasheh pagesën prej 4.996 milionë eurosh dhe shpenzimet tjera, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Kundër vendimit të arbitrazhit nuk ka mundësi ankese dhe autoritetet në Prishtinë janë të detyruar që në afatin prej 14 ditësh ta paguajnë shumën e caktuar.

Ndërkohë në një reagim, Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për dënimin me 5 milionë euro.

“Ne nuk mund të themi asgjë, pasi që akoma nuk jemi informuar zyrtarisht rreth kësaj çështjeje”,

ka thënë Roksana Qarri, Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Brendshme./tvklan.al