Pyetje për kompetencat e Presidentit pas rrëzimit të qeverisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit.

Nëpërmjet një komunikate për media zyra e kryeministrit në detyrë thotë se në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venecias do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese.

“Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision”, thuhet në njoftim.

Theksohet se është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre.

Çështjen e dekretimit të mandatarit nga presidenti, LVV-ja e ka dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese derisa në të njëjtën kohë kishte kërkuar edhe pezullimin e përkohshëm të dekretimit. Kjo e dyta u përkrah nga Gjykata Kushtetuese deri në një vendim final për çka edhe u anulua seanca e së shtunës e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë Hoti.

LDK-ja thotë se e respekton vendimin e Kushtetueses. Megjithatë ka kritikuar qeverinë në detyrë që dy herë radhazi në kohë pandemie e shkelën kushtetutën për të cilat kushtetuesja vlerësoi se qeveria në detyrë morri vendime antikushtetuese gjatë menaxhimit të pandemisë.

Pos përballjes me pandeminë Kosova ka pasur edhe përplasje politike dhe mungesë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të menaxhuar pandeminë shkak i së cilës u bënë edhe disa shkarkime në qeveri dhe si rrjedhojë u prish koalicioni LVV-LDK. 

Tv Klan