Qeveria e Kosovës nuk është e kënaqur me mënyrën se si po zbaton marrëveshjet tregtare Shqipëria, ndërsa ka kërcënuar me marrjen e masave shtrënguese për palën tonë, brenda një afati prej 3 muajsh. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë, tregon se në takimin me dyer të mbyllura, që u zhvillua disa ditë më parë mes dy ministrave shqiptarë, Anila Denaj e Eduart Shalsi dhe Zv/Kryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj e Ministrit të Tregtisë Endrit Shala, pakënaqësitë u shprehën hapur.

Për qeverinë e Kosovës është e padrejtë që të vendosen barriera tregtare për trajtimin fiskal të birrës, normat e proteinës së miellit dhe bllokimin në disa raste të ngarkesave me perime nga Kosova, kur për produktet shqiptare që eksportohen atje nuk ka asnjë barrierë të ngjashme. Përgjigjja që do të vijë është vendosja e tarifave për mallrat shqiptare që importohen më shumë atje.

Bizneset e të dyja vendeve kërkojnë rishikimin e dy tarifave: atë të Rrugës së Kombit, ku pagesën për ta duhet ta bëjë buxheti i shtetit dhe negocim me koncesionarin për të ulur tarifën 22 Euro për skanimin e mallrave për çdo deklaratë doganore që plotësohet.

Vetë Ministrja e Financave premtoi dy ditë më parë se do të nisin bisedimet për të riparë tarifën dhe mënyrën sa herë paguhet ajo për mallrat që skanohen.

Tv Klan