Linja e interkonjeksionit 400 kilovolt Shqipëri – Kosovë mund të fillojë së shpejti punën, dy vjet e gjysëm pas përfundimit të investimit me vlerë 75 milionë Euro nga ana e të dy vendeve.
Mësohet se negociatat e iniciuara nga Gjermania në kuadër të programit të lidhjes energjitike mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u caktua si ndërlidhës për bisedimet Sekretaritati i Komunitetit të Energjisë, po finalizohen me një zgjidhje.
Zgjidhja është dhënia e shpërndarjes së energjisë në veri të Kosovës një kompanie serbe, e cila është në pronësi të ndërmarrjes shteterore serbe të Energjisë Elektrike.
Edhe pse për shumë gjatë Kosova nuk pranoi, në këtë pikë Prishtina zyrtare është dorëzuar, siç thuhet në dokumentin e hartuar nga Sekretariati i Energjisë në Vienë.
“Më 7 Nëntor 2018, Agjencia Kosovare e Regjistrimit të Biznesit ka regjistruar një kompani furnizimi, “Elektrosever”, në pronësi të plotë të Ndërmarrjes së Energjisë Elektrike të Serbisë, EPS. Ky është një hap i madh në drejtim të licencimit të një furnizuesi serb në Kosovë, i cili ishte një parakusht për hyrjen në fuqi të marrëveshjes mes dy vendeve”.
Që linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë e Kosovës të funksionojnë, duhet që Operatori i Transmetitmit të Kosovës të njihet nga ENTSO që është autoriteti europian i transmetimit. Por për që të ndodhë ky anëtarësim, duhet që Serbia të japë pëlqimin e saj.
Pritet që Serbia, pas marrjes në dorë të furnizimit me energji të Mitrovicës, të japë dakordësinë për Interkonjeksionin me Shqipërinë.
Shqipërisë i ka kushtuar 40 milionë Euro kredi nga qeveria gjermane ndërtimi i kësaj linje që nuk është vënë asnjëherë në punë, ndërsa po paguan këstet e kredisë. Linja 400 kilovolt me Kosovë rrit sigurinë energjetike të vendit në raste të krizës së prodhimit të energjisë, ndërsa çdo vit të dy shtetet humbin 1 milion Euro nga pagesat që duhet të jepnin kompanitë që do ta përdorin këtë linjë.
Tv Klan