E veshi xhaketën ushtarake ashtu si 20 vite më parë, por këtë herë në krye të një force që mbron lirinë dhe paqen e fituar nga lufta e asaj kohe. Presidenti Hashim Thaçi vizitoi forcat e sigurisë së Kosovës në kazermën Adem Jashari në Prishtinë, në ditën e tyre të fundit me këtë status. Trupat i përshëndeti edhe në serbisht, për të treguar se ushtria nuk është krijuar për të bërë dallime etnike, siç tha edhe gjatë fjalës së tij.

“I siguroj të gjitha komunitetet në Kosovë, veçanërisht komunitetin serb, se FSK do të vazhdojë t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. Ne i sigurojmë të gjithë partnerët tanë strategjikë se dëshirojmë paqe në këtë pjesë të botës”.

Kuvendi i Kosovës do të votojë të premten pr/ligjin që e shndërron FSK-në në ushtri të mirëfilltë. Për Ambasadorin amerikan në Kosovë, Filip Kosnet, 14 Nëntor është ditë historike. Përmes Twitter-it, ai tha se ushtria do të luajë një rol pozitiv për gjithë rajonin duke përcjellë karakterin multietnik dhe përkushtimin për paqen. Mendim krejt të kundërt ka Presidenti i Serbisë.

“Nuk duhet të na poshtërojë askush, pasi këtë as serbët e as Serbia nuk do ta tolerojnë. E gjithë kjo që është duke ndodhur ka mbështetje, por është e kundërligjshme. Ne do të reagojmë qetë, pa kërcënime dhe do të mundohemi ta ruajmë paqen”.

Vuçiç tha se prapa projektit fshihen Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore, ndërsa i bëri thirrje NATO-s ta ndalojë themelimin e ushtrisë kosovare.

Tv Klan