Erdogan: Europianët po shkelin të drejtat e njeriut

Përplasjet mes forcave kufitare greke dhe dhjetëra mijëra refugjatëve të mbledhur në kufirin turko-grek kanë vijuar edhe gjatë kësaj të mërkure. Trupat greke përdorën gazin lotsjellës për të zbrapsur refugjatët, në tentativat e tyre për të kapërcyer kufirin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Pasi panë nga afër situatën në terren, krerët e unionit janë aktualisht në Ankara. Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel u takua me Presidentin turk Erdogan, në përpjekje për ta bindur atë të ndalë fluksin e refugjatëve drejt Europës.

Megjithatë gjatë një mbledhje me deputetët e partisë së tij, kreu i shtetit turk akuzoi Greqinë dhe Bashkimin Europian se kanë shkelur kartën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, duke ndaluar pranimin e të gjitha kërkesave të reja për azil.

Refugjatët sirianë në kufi shprehen se kërkojnë një jetë më të sigurtë.

“Nuk duam ta dimë ç’thonë ata, nuk duam ta dimë ku do përfundojmë. Duam vetëm një vend të sigurtë për fëmijët tanë. Ku të shkojmë? S’kemi as shtëpi, as punë”.

Të martën, Presidentja e Komisionit Europian i premtoi Athinës 700 milionë Euro ndihmë për përballimin e krizës.

Tv Klan