Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Ashurja është dita e festës së besimtarëve bektashinj. Kjo ditë e shënuar vjen pas dhjetë ditësh zie përkujtimore ose siç quhet ndryshe Matemi. Në këto 10 ditë, që quhen ditët e para të hënës Muharrem, besimtarët bektashinj agjërojnë, duke u privuar madje edhe nga uji dhe më pas vjen dita e ëmbëlsirës së përmotshme ashures, që bëhet për përkujtim shpirtëror të luftës së Qerbelasë.

Ky është riti i vajtimit që kryen populli për Hysenin e madh, i cili u persekutua dhe ra dëshmorë në fushën e nderit, për të ruajtur ligjet fetare dhe lirinë e popullit. Ceremonia e Ashures, ka nisur rreth orës dhjetë paradite në selinë e Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. Në këtë ceremoni merrnin pjesë besimtarë të shumtë të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Ceremoninë e hapi kryegjyshi botëror, Baba Dede Reshat Bardhi, i cili mbajti dhe lutjen e përmotshme. Përshëndetën në këtë ceremoni edhe aktorët e Teatrit Kombëtar Mirush Kabashi e Reshat Arbana, të cilët recituan vargje nga Naimi dhe Fishta. Në fund të gjithë besimtarët janë përshëndetur me kryegjyshin botëror dhe kanë ngrënë ëmbëlsirën e ashures. Më pas kanë vijuar edhe vizitat e politikanëve shqiptarë, të cilët i kanë uruar kryegjyshit botëror dhe besimtarëve, ditën e festës së ashures./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora