Shqipëria ka arritur të triumfojë me vendin e parë në eventin më të madh të sigurisë kibernetike mbajtur në Dubai.

Ekipi prej tre personash që përfaqësoi vendin tonë pati performancën më të mirë të reagimit ndaj sulmeve kibernetike të simuluara në Global CyberDrill, ku morën pjesë mbi 100 shtete.

“Për të tre ne ishte privilegj dhe krenari. Listimi si fitues erdhi si pasojë e eksperiencës së përditshme për të përballuar kërcënime kibernetike. Ushtrimet që janë skenarë janë pjesë e operacioneve tona”, tha Franc Zylyftari, ekspert sigurie, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Vendi ynë po ashtu theu edhe rekordin prej 2 orë e 30 minuta të skenarit real të sulmeve kibernetike.

“E bëmë të gjithë skenarin për 1:30, Shqipëria përveçse fitoi vendin e parë, nga 2 orë e gjysëm, ne arritëm të thyejmë rekordin për 1 orë e gjysmë”, tha Adriano Lleshi nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike

“Është fryt i një pune të vazhdueshme dhe i asaj që kemi hequr ne në kurriz… Është shpejtësia e përgjigjes dhe saktësia e përgjigjes kundrejt çdo eventi të ndodhur”, tha Ilir Daka nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

Pas Shqipërisë, në vend të dytë dhe të tretë dolën ekipet nga Egjipti dhe Turqia.

Tv Klan