Rama: Misioni vazhdon, do riatdhesojmë edhe të tjerët

Ka përfunduar tmerri i përjetuar në lufëtrat e ISIS-it dhe kampin Al Hol për 19 qytetarë shqiptarë. 14 fëmijë dhe 5 gra zbritën mëngjesin e së dielës në Aeroportin e Rinasit, duke finalizuar me sukses një operacion të vështirë, ku veç strukturave tona të Ministrisë së Brendshme, u përfshinë edhe autoritetet libaneze e disa shërbime të vendeve partnere.

Ata shoqëroheshin nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, të cilët udhëtuan në Bejrut për të falenderuar personalisht strukturat që u përfshinë në misionin e vështirë të riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të mbetur peng në Siri.

“Kjo është ora që përmbyll një operacion të jazhtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri. Këtë here, 5 gra dhe 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë, një operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe dhe nuk diskutohet falë ndihmës së posaçme nga Konsulli ynë i nderit në Liban, zoti Marc Ghorayeb dhe gjenerali Abass”.

Të riatdhesuarit do të strehohen fillimisht në një qendër të posaçme dhe më pas do të shpërndahen në familjet e tyre.

“Do t’i drejtohen një strukture enkas të përgatitur për ta në Durrës, ku do të bëhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe ato psikologjike, ku do të kenë një periudhë të shkurtër karantinimi dhe pastaj sipas rasteve sepse një pjesë e tyre kanë familjarët, kanë adresa këtu, do të çohen ose në shtëpi ose do të qëndrojnë në struktura të posaçme”.

Por operacioni i autoriteteve shqiptare nuk do të përfundojë këtu, pasi të tjerë qytetarë shqiptarë që kanë mbetur ende në Siri do të synohet të kthehen në muajt në vijim.

“Ka edhe një operacion tjetër potenclialisht për të zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një pune terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më i vogël, duke menduar që me shumë sesa gjysma tanimë është marrë dhe është në vendin tonë”.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se deri më tani nga personat e identifikuar në kampin e Al Hol vetëm 2 shtetas shqiptarë nuk kanë pranuar të kthehen në Shqipëri, dhe kjo sipas tij për shkak se ata ndihen të kërcënuar.

Ky është operacioni i tretë që realizohet për të shpëtuar shtetasit shqiptarë që mbahen peng në këtë kamp. Më parë është mundur të riatdhesohet Alvin Berisha dhe më pas edhe Floresha Rasha dhe 4  fëmijë të tjerë.

Lista e plotë e riatdhesimeve:

Klodilda Zani (Cami), Tiranë, me 3 fëmijët

Brunilda Koçellari, Tiranë, me 5 fëmijët

Entela Vladi, Dibër, me 4 fëmijët

Ruzhdije Balliu, Librazhd

L. K. me dy fëmijët

Tv Klan