Autoritetet kosovare nuk japin shpresa për një proces të shpejtë

Nuk ka shpresa se në Kosovë do të mund të kthehen shpejt shtetasit e Kosovës të cilët kanë mbetur në Siri. Janë rreth 90 shtetas të Kosovës që gjenden atje, por tërheqja e tyre sipas autoriteteve në Kosovë aktualisht është e pamundur. Rreth 20 luftëtarë, 6 gra dhe mbi 30 fëmijë janë në zonën Idlibit në Siri, zonë kjo e kontrolluar Al Qaeda.

“Këta janë kosovarë që kanë qenë gjatë gjithë kohës me Al Nusrën, një organizatë tjetër që ka qenë e lidhur me Al Qaedan. Ajo zonë nuk ka ndonjë autoritet legjitim dhe kthimi i tyre tani për tani është i pamundur për shkak të luftimeve dhe rrethanave që janë në vendin e konfliktit”, thotë Fatos Makolli, Koordinator i Qendrës Kundër Terrorizmit në Kosovë.

Ndërsa në pjesën tjetër të Sirisë, të kontrolluar nga Forcat Demokratike Sirianë kanë mbetur 1 grua e plagosur, një fëmijë gjithashtu i plagosur dhe 27 luftëtarë të burgosur.

“Atje kanë mbetur 27 luftëtarë që gjenden nëpër burgje, një grua e plagosur që nuk ka mundur të lokalizohet dhe 1 fëmijë jetim i plagosur që nuk ka mundur të lokalizohen”, shprehet Makolli.

Drejtori për Siguri në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare Bedri Elezi thotë se çdo ditë e vonuar rrezikon jetën e shtetasve të Kosovës atje.

Por për Makollin, mundësia e vetme që këta shtetas të kthehen është nëse ata arrijnë në kalojnë në territorin e Turqisë, por që siç thotë ai po pengohen nga autoritetet turke që të kalojnë kufirin.

Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga Turqia që kryesisht fëmijët dhe gratë, të cilët ofrohen në kufi me Turqinë të lejohen të hyjnë në Turqi dhe më pastaj Kosova do të merrte përsipër riatdhesimin e tyre.

Tv Klan