Raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, shprehet se braktisja e takimit të 13 të MSA-së në Bruksel nga opozita nuk ishte një strategji e mirë dhe pse ajo ka evidentuar, sipas tij akuza shumë serioze lidhur me Taulant Ballën.

“Ato që ata evidentojnë janë akuza shumë serioze. Dhe ata vazhdojnë të thonë që marrin gjithnjë e më shumë informacione lidhur me ato që ata i quajnë “aktivitete kriminale” të Taulant Ballës. Por nuk mendoj, se ishte korrekte që të braktisej salla. Sado serioze të jenë gjërat, unë mendoj se kjo çështje duhet zgjidhur në Shqipëri, në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo të tentohet të zgjidhet në Parlamentin Europian. Në këtë kuptim, vendimi i tyre nuk ishte i drejtë”.

Kukan flet edhe për deklaratën e përbashkët e aprovuar në fund të takimit me mesazhin se Parlamenti Europian i njeh problemet e Shqipërisë.

“Mesazhi kryesor i rezolutës për Shqipërinë ishte që përgëzohet fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi dhe të procesit të Vettingut, por kërkohet vijimi i saj dhe më shumë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave dhe drogës”.

Kukan shtoi se problem mbetet boshllëku i krijuar në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Tv Klan