lDK, gati për koalicion me AAK dhe “Nisma”

Kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka dërguar letër presidentit Hashim Thaçi. Nuk i ka propozuar ndonjë emër për mandatar, por ka insistuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. I ka shkruar se po përdor standarde të dyfishta me vendimin që t’i kërkojë Kurtit emrin e mandatarit për formimin e qeverisë teknike.

“Në shkresën tuaj të datës 10.04.2020 theksoni se keni zhvilluar takime konsultative me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend me qëllim të vlerësimit të interesit të partive politike në raport me zgjedhjet e reja apo formimin e Qeverisë së re. Më lejoni të ju rikujtoj se nuk është në kompetencën e Presidentit vlerësimi i interesave të partive politike, por mbrojtja e interesit shtetëror. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese  në paragrafin 84 të Aktgjykimit të saj ka konstatuar se presidenti mund të konsultohet vetëm me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend.

Kurti thotë se në takimet me presidentin nuk ka shkuar si shef i Lëvizjes Vetëvendosje, por si kryeministër. Kurti shkruan më tej në letër se prioritet i tij është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të virusit korona, çdo çështje tjetër partiake apo politike, sipas tij, duhet konsideruar e rëndësisë dytësore apo tretësore. Ai i ka shkruar presidentit Thaçi se ndërhyrjet tuaja të vazhdueshme, po e pengojnë punën e qeverisë në mes të një gjendjeje emergjente të shëndetit publik.

Ndërkohë kryetari i LDK-së Isa Mustafa është duke bërë përgatitjet që të hyjë në koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe minoritetet. Ai ka kërkuar nga Këshilli Drejtues i partisë që nëpërmjet email-it të votojnë për aprovimin e LDK-së me këto parti. Megjithatë Mustafa ka thënë se fillimisht do të presin shterjen e rrugëve kushtetuese të LVV-së për të formuar qeverinë, që pastaj LDK të merr mandatin si parti e dytë.

Tv Klan