Pagesat në botën e sportit tundojnë jo pak opinionin publik dhe jo vetëm. Shifrat milionëshe që përfitojnë aktorët kryesore, si futbollistët apo edhe trajnerët janë ato më të komentuarat. Por, kësaj liste nuk i shpëtojnë as gjyqtarët e sfidave të futbollit, me kampionatet europiane që paguajnë shifra të konsiderueshme për ata që vendosin drejtësi në fushën e lojës. Elita e futbollit spanjoll La Liga është kampionati që paguan më mirë në këtë aspekt. Zyrtarët e ndeshjes marrin një pagë fikse prej rreth 150,000 euro dhe 4,900 euro për të drejtuar një ndeshje teksa totali mund të arrijë deri në 273 mijë euro në sezon.

Ndërkaq, në dhomën e sistemit VAR, pagat për një takim kapin vlerën e 2500 eurove. La Liga pasohet nga Bundesliga, një kampionat në të cilin paga fikse varion nga një minimum prej 60,000 deri në maksimum 80,000 euro në vit, por këtu nuk përfshihen bonuset dhe të drejtat e imazhit. 5500 euro është mesatarja e asaj që fitohet në një ndeshje të kampionatit dhe 2000 euro për një punonjës të VAR-it

Vendi i tretë për Premier League, turneu më i pasur kombëtar i futbollit. Në këtë rast, drejtuesit e ndeshjeve marrin një shumë fikse që varion nga 85,000 euro deri në 120,000 euro dhe deri në maksimum 170,000 euro , në varësi të nivelit të gjyqtarëve. Këtyre shifrave u shtohen 1300 euro për ndeshje ose 1000 euro për gjyqtarët e VAR-it. Në këtë rast gjithmonë duke pasur parasysh një mesatare prej 20 ndeshjesh mesatarja arrin në 151,000 euro.

Gjyqtarët e Serisë A marrin një minimum prej 20 mijë euro në sezon për transferimin e të drejtave të imazhit në vitin e parë të aktivitetit, deri në maksimum 90 mijë euro, gjithmonë në sezon.

Tarifa për një ndeshje shkon në 4000 euro për kryesorin e ndeshjes, ndërsa për atë në sistemin VAR bie në 1700 euro. Duke marrë parasysh të gjithë komponentët, një gjyqtar i Serisë A mund të fitojë mesatarisht 130,000 euro dhe atë më të lartën në 170,000 euro .

Në kampionatin francez gjyqtarët paguhen nga 77 mije deri në 78,000 euro si pagë fikse, shumë të cilës i shtohet një tarifë që varion nga 3,340 euro në 3,360 euro. Për punonjësit e VAR-it shuma është më e ulët, 1000 euro. Në këtë mënyrë gjyqtarët, me një mesatare prej 20 ndeshjesh të drejtuara, mund të fitojnë mesatarisht 144,000 euro.

Klan News