Legalizimi i kanabisit, Lleshaj: MB nuk është përfshirë ende në proces



Legalizimi i kanabisit, Lleshaj: MB nuk është përfshirë ende në proces

23:05 12/05/2020

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, tha mbrëmjen e së martës në “Opinion” se ministria që ai drejton nuk është përfshirë ende në procesin e diskutimeve mbi legalizimin e kultivimit të kanabisit për arsye shëndetësore.

Spartak Koka: Vetëm një muaj më parë, në mesin e pandemisë, për herë të parë në 7 vite të qeverisjes socialiste, u artikulua tema për legalizimin e kanabis sativa për arsye mjekësore. Në dijeninë tuaj zoti ministër, çfarë është kjo nisëm dhe a janë angazhuar ekspertët e ministrisë së brendshme në hartimin e këtij drafti, i cili do të sjellë më pas legalizimin e kanabis sativa për arsye mjekësore.

Sandër Lleshaj: Duke qenë se bëhet fjalë për një projekt mjekësor, Ministria e Brendshme, nuk është përfshirë ende në këtë proces.

Blendi Fevziu: Nuk i është marrë as mendimi për këtë çështje?

Sandër Lleshaj: Po sepse jemi ende në një fazë të hershme, sigurisht do i merret mendimi, sepse përveçse mjekësor, një projekt i tillë ka edhe një element sigurie, i cili do të zhvillohet, elementi shëndetësor dhe elementi i sigurisë, atëherë do të jetë i pjekur projekti.

Blendi Fevziu: Personalisht ju Zoti Lleshaj, jeni në favor të këtij projekti?

Sandër Lleshaj: Unë nuk mund të shprehem as në favor, as në disfavor të një projekti që nuk ekziston ende i artikuluar.

Blendi Fevziu: Në princip e garanton policia kontrollin, mosdaljen nga kontrolli të kësaj?

Sandër Lleshaj: Sigurisht, Policia e Shtetit e kontrollon, sepse derisa e kontrollon dhe jep garanci për kontrollin e përhapjes ilegale, përhapjen legale e ka më të thjeshtë.

Lleshaj, ndërkohë tha se kultivimi ilegal i kanabisit në Shqipëri është një çështje e mbyllur.

“Kanabisi është një çështje e mbyllur, është i mbyllur si histori. Nuk ka shans që të jetë temë për këtë çështje.”

/tvklan.al



Të ngjashme