“Administrata e presidentit ndikoi në rrëzimin e qeverisë Kurti në Kosovë”

Dy ligjvënësit e njohur demokratë Eliot Engel dhe Bob Menendez deklaruan se pas rrëzimit të qeverisë Kurti qëndron presidenti Trump dhe njerëzit e tij. 

Në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo ata paralajmëruan se qasja e dorës së fortë e Administratës ndaj Kosovës e penalizoi padrejtësisht qeverinë e re.

“Tarifat e Kosovës ndaj mallrave serbe, që tashmë janë pezulluar, kryesisht kanë dëmtuar Kosovën dhe qytetarët e saj, por ky mjet është përdorur nga shumë qeveri të botës, shpesh përfshirë administratën Trump. Ne jemi të shqetësuar se administrata Trump vendosi ndëshkime financiare mbi qeverinë e Kosovës, disa javë pasi ajo kishte ardhur në pushtet. Sigurisht, ne nuk kemi asnjë qëndrim se kë zgjedh populli i Kosovës si udhëheqësit e tyre, por ju bëjmë thirrje që t’u jepni zyrtarëve të rinj mundësinë që të qëndrojnë në detyrë para se të mbështeteni në një qeveri të re”.

Engel dhe Menendez kërkojnë që administrata amerikane të vendosë sanksione ndaj Serbisë pas blerjes së armëve nga Rusia, bazuar në legjislacionin e miratuar nga Kongresi pas ndërhyrjeve të Kremlinit në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

“Ju lutemi na informoni pse administrata as nuk i ka shqiptuar ato sanksione dhe as nuk ka ushtruar presion në mënyrë aktive ndaj Serbise për t’i dhënë fund përpjekjeve të saj globale kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Koorporata e Sfidës së Mijëvjeçarit duhet të rifillojë menjëherë zbatimin e Programit me Kosovën”.

Ligjvënësit e njohur mbështesin praninë diplomatike aktive të SHBA në të gjithë rajonin, por kjo sipas tyre do të ishte e suksesshme për arritjen e marreveshjes Beograd-Prishtinë vetëm nëse bëhej në koordinim të ngushtë me BE-në.

Klan Plus