Lleshaj: Ka nga ata që kanë vrarë, por nuk e dinë

Lleshaj: Ka nga ata që kanë vrarë, por nuk e dinë

14:05 18/07/2019

Në seancën plenare të kësaj të enjteje në Kuvend u diskutuan propozimet e mazhorancës për ashpërsim të Kodit Penal. Një ndër propozimet është edhe ashpërsimi i masave për armët. Nga foltorja e Kuvendit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh pro forcimit të dënimit penal për ata që mbajnë armë pa leje, ndërsa tha se më vonë do të ketë përforcim të kritereve edhe për mbajtjen e armëve në mënyrë të ligjshme.

“Kur ia kemi hequr këtë mundësi ligjit dhe shtetit për të vrarë, duhet t’ia ngushtojmë mundësinë çdo qytetari, i cili siç thatë ju nuk mund të pengohet kurrë për t’u çmendur, që një ditë të caktuar duke e patur lehtësisht në dorë armën, edhe mund ta përdorë keq edhe mund të vrasi njeri. Kjo është pak a shumë ideja që është mbrapa këtij propozimi. Ne do të shkojmë në një hap më të rëndësishëm më vonë duke forcuar kriteret për mbajtjen e armëve edhe në mënyrë të ligjshme. Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve europiane ka një politikë penale relativisht liberale sa i përket dënimit penal. Të forcojmë dënimin penal ndaj atyre që posedojnë në mënyrë të paligjshme armë, sepse këto armë nuk janë instrumente muzikore nga ato të ahengut që përmendët, po janë mjete të cilat kanë vetëm një funksion-për të vrarë”.

Duke argumentuar qëndrimin e tij, Lleshaj solli në kujtesë edhe vitin ’97. Ministri tha se ka nga ata që “nga kënaqësia që u shkaktonte tingulli i plumbave që dilnin kanë vrarë njerëz dhe sot nuk e dinë që kanë vrarë

“Sa më shumë ta ngushtojmë hapësirën e përdorimit të armëve ose mbajtjes së armëve, aq më shumë i kemi shërbyer jetës së qytetarëve tanë. Mos harroni se në vitin e famshëm ‘97 në Shqipëri janë vrarë mijëra njerëz në mënyrë të pavullnetshme. Thjesht për faktin se shqiptarët nuk e dinin ende në atë kohë, shumë prej tyre, diferencën midis një instrumenti muzikor dhe një instrumenti që quhet pushkë. Dhe nga kënaqësia që u shkaktonte tingulli i plumbave që dilnin kanë vrarë njerëz dhe sot nuk e dinë që kanë vrarë. Se i kanë hedhur ata plumba në ajër, të cilat diku kanë rënë dhe kanë vrarë dikë, dhe dikush sot nuk mund të jetë i qartë që s’ka vrarë njeri edhe nuk e di”./tvklan.al

Të ngjashme
UKT