Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në “X” ka reaguar lidhur me raportin e publikuar nga “Reporterët pa Kufij” sa i takon klimës së medias në gjithë botë.

Në reagimin e tij Rama ka falenderuar organizatën “Reporterët Pa kufij”, për raportin e hartuar prej tyre. Ndër të tjera Kryeministri shprehet se qeveria e tij do të analizojë me kujdes situatën ku do të ndërmerren veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik si dhe për të mbrojtur lirinë e informacionit.

“Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot ndaj dua të falenderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre të thellë. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi”, shkruan kryeministri Rama në “X”.

Kujtojmë që dita e sotme, 3 Maji është shpallur Dita Botërore e Lirisë së Shtypit për të ngritur vetëdijen dhe rëndësinë e lirisë së shtypit.

/tvklan.al