“Kemi administruar provat”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj inspektoi disa objekte që do të shemben në Durrës për shkak të dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Lleshaj pati edhe një prononcim të shkurtër për mediat ku u pyet nëse policia do të marrë të gjitha provat për godinat që janë shembur, por edhe për ato që janë në proces shembje.

Ministri i Brendshëm theksoi se të gjitha pallatet ku ka pasur humbje jete janë skena krimi dhe janë trajtuar nga policia si të tilla. Lleshaj theksoi se të gjitha elementët e provës materiale që duhen për këtë rast janë administruar nga policia.

“Sigurisht, këto ditë ne kemi parë vetëm atë pjesën më tragjike të asaj që ka ndodhur, varrimin e shumë njerëzve që humbën jetën. Kjo që po shohim tani është edhe varrosja e disa godinave që në fakt janë shembur vetë. Tani thjesht po bëhet transporti i tyre drejt vendeve të grumbullimit të mbetjeve. Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera. Të gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga Policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar. Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë. Kemi raste kur dy pallate janë ngjitur dhe një pallat është shembur dhe tjetri jo, pra një përgjigje duhet kërkuar përse është shembur ky dhe jo ky tjetri.  E para, gjëja kryesore që ka të bëjë me fiksimin dhe administrimin e provave është bërë. Të gjithë elementët e provës materiale që duhen për këtë rast konkret janë tashmë të administruara nga policia,  çeliku i përdorur, hekuri i përdorur, betoni e të tjera me radhë janë të administruara ashtu siç administrohen provat në një vepër penale”, tha Lleshaj.

Tashmë sipas Lleshajt vjen faza e hetimit të dokumentacionit dhe përgjegjësive. Për këtë të fundit kreu i Ministrisë së Brendshme tha se do të përfshihen tre grupe; kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit që kanë ndërtuar pallate pa cilësi; ata që kanë ndërhyrë në pallate duke i kthyer në rrezik për qytetarët dhe në fund administratorët.

“Ajo që pason tani është hetimi. Hetimi i thelluar i dokumentacionit, i përgjegjësive dhe kemi dy kategori përgjegjësish këtu: kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin.  Pra janë këto 3 grupe, të cilat do të hetohen me rigorozitet maksimal. Sot Kryeministri e përmendi edhe në takimin e mëngjesit të Qeverisë që kjo punë duhet të ndodhë shpejt dhe me seriozitetin më të lartë. Dhe pikërisht për këtë jam këtu, bashkë me një ekip të Policisë së Shtetit në mënyrë që ky shqetësim publik të marrë përgjigje sa më parë. Edhe njëherë theksoj se askush nuk vë gishtin në një pallat, pa u marrë të gjitha provat, fotot, materialet e gjithçka. Gjithçka është marrë dhe do të merret deri në fund.  Aktualisht jemi të përqendruar te banesat kolektive dhe pastaj në fazën tjetër do të shkojmë në banesat individuale. Por sidomos kolektivet janë prioriteti absolut i momentit”, theksoi ministri Lleshaj. /tvklan.al