PS dhe PD shënuan rritje të mbështetjes në elektorat 

Zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit ndërsa konfirmuan socialistët si mazhorancë qeverisëse edhe për 4 vitet e ardhshme, sollën jo pak ndryshime sa i përket mbështetjes që siguruan partitë politike në elektorat.

Kështu, ndonëse vinte pas dy mandate qeverisëse, Partia Socialiste ka mundur jo vetëm të konfirmojë votat e 4 viteve më parë, por edhe të marrë rreth 4 mijë vota më shumë. Në zgjedhjet e vitit 2017 socialistët siguruan 764 mijë vota, ndërsa në zgjedhjet e 25 Prillit morën më shumë se 768 mijë vota. Gjithsesi socialistët duke iu referuar edhe numrit të madh të votave të pavlefshme që kanë dalë në këto zgjedhje, pretendojnë se kanë kapur tavanin e 800 mijë votave.

Koalicioni opozita i drejtuar nga Partia Demokratike ka dhe rritjen më të madhe krahasuar me zgjedhjet e pararendëse parlamentare. Nga të dhënat zyrtare të KQZ-së rezulton se PD së bashku me aleatët e saj arriti të marrë në 2017 rreth 543 mijë vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit kanë marrë 622 mijë vota, duke siguruar një rritje me gati 80 mijë vota.

Por ndërsa dy subjektet e mëdha kanë mundur të përmirësojnë rezultatin e tyre, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila mund të konsiderohet si humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 2017 LSI arriti rezultatin më të mirë që nga krijimi i saj duke marrë 225 mijë vota dhe duke siguruar 19 mandate deputetësh. Ndërkohë që në parlamentaret e këtij viti pësoi një rënie me më shumë se gjysmën e votave të marra 4 vite më parë, duke marrë vetëm 107 mijë vota dhe vetëm 4 mandate deputeti.

 Tv Klan