Lukashenko vendos të shtypë protestat kundër tij

Kryeprokurori i Bjellorusisë hap çështje penale kundër krerëve të opozitës duke i akuzuar ata se po përpiqeshin të merrnin pushtetin me dhunë. Sipas aktakuzës ngritja e një këshilli koordinues të opozitës ka për qëllim marrjen e pushtetit dhe dëmtimin e sigurisë kombëtare. Më herët, ishte vetë Presidenti Aleksandër Lukashenko që urdhëroi policinë t’u japë fund protestave masive kundër tij në kryeqytetin Minsk që zgjatin prej 12 ditësh.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u miratua edhe qeveria e re, Lukashenko tha se tani populli ka nevojë për qetësi dhe paqe, të cilën këto ditë po e prishin protestat e mbështetësve të rivales së tij Svetlana Tikanovskaja që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 9 Gushtit. Në këto zgjedhje, Lukashenko fitoi një tjetër mandat, pas 26 vitesh pa ndërprerje në krye të vendit.

Deri më tani janë arrestuar mbi 6 mijë protestues opozitarë. Lukashenko urdhëroi edhe mbylljen e kufijve për të shmangur hyrjen e mercenarëve apo armatimeve që mund të shkaktojnë trazira në vend. Por Bashkimi Europian nuk e njeh më Lukashenkon si President të Bjellorusisë.

Në mbledhjen e Këshillit Europian u vendos të mos njihet rezultati i zgjedhjeve dhe të vendosen sanksione ndaj individëve përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve opozitarë, por edhe për manipulimin e zgjedhjeve. Ndërsa Moska u bëri thirrje vendeve perëndimore të mos  përfshihen në çështje të brendshme të Bjellorusisë.

Tv Klan