Ministri Pandeli Majko ka deklaruar se do të votojë pro shkarkimit të Presidentit Ilir Meta me argumentimin se ka bërë shkelje të Kushtetutës.

Gjatë fjalës së shkurtër në Parlament, Majko tha se kjo votë e tij për shkarkimin e Presidentit është zgjedhje e vështirë, por është një vendim që duhet marrë për shkak të shkeljeve nga ana e Metës.

“Presidenti i Republikës është një individ i burgosur nga privilegjet e veta. Por jo e kundërta. Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur betimin e tij. Arsyeja pse kam dalë sot është për të nënvizuar pozitën time të vështirë. Kryetari i grupit parlamentar e di shumë mirë që unë e kam refuzuar ta firmos për herë të parë kur u iniciua shkarkimi i Presidentit Meta. Arsyet janë të shumta. Por tanimë mendoj që Presidenti Meta është bërë promotor i mos seriozitetit të shtetit shqiptar, edhe karshi të tjerëve, është e pafalshme.

Në çdo rast, pavarësisht problemeve personale apo politike që ne mund të kemi me njëri-tjetrin, midis mazhorancës dhe opozitës, kërkesave për të fituar pak më shumë vota se sa ai tjetri, por në marrëdhënie me procesin zgjedhor, në marrëdhëniet me faktorët strategjikë ndërkombëtarë, sidomos me politikën e SHBA askush në Shqipëri nuk i ka askujt borxh lidhur me këtë çështje. Prandaj shkurt e qartë mendoj se këshilla që në përgjithësi jepen në politikë se më mirë të të urrejnë për atë që je se sa të të duan për atë që nuk je, qëndron për rastin në fjalë që po diskutojmë sot. E mora fjalën për të shprehur votën time pro shkarkimit, një votë e cila sigurisht më rëndon shumë, por është një votë e cila në thelb ka raportet me të vërtetën. Një e vërtetë e cila në thelb ftoj çdo deputet të ballafaqohet me të. Ilir Meta ka qenë pjesë e jona dhe është votuar nga kjo masë votuesish.

Historitë që nuk ka legjitimitet ky Parlament për të votuar unë mendoj se kur është miratuar Kushtetuta e vitit ’99, të gjithë ligjvënësit e kanë pasur shumë të qartë momentin e shkarkimit të Presidentit. Është momenti i shkarkimit të Presidentit të Republikës një moment i cili duhet të kalojë në 1 mijë filtra. Kjo që po diskutojmë sot dhe do të marrim vendim me votë të fshehtë, do të gjykohet në Gjykatën Kushtetuese. Në thelb, ne prodhojmë një akt i cili do të kalojë nëpër filtrat e juristëve më me përvojë në Gjykatën Kushtetuese. Por mendoj që raporti jonë me të vërtetën, duhet të jetë i qartë. Dhe e qarta është e shkruar e zeza mbi të bardhë. Ndaj kam firmosur në kërkesën me 49 firmat e deputetëve, ndaj do të votoj pro shkarkimit të Presidentit të Republikës. Për të tjerat të na gjykojë koha dhe ajo që do të vijë”, deklaroi Pandeli Majko. /tvklan.al