“Historia ime” pranë fëmijëve që marrin mjekim në pavionin e Onko-Hermatologjisë pediatrike në QSUT

Sot është Krishtlindje dhe emisioni “Historia ime” ka vendosur që ditën e sotme t’ju gjendet pranë fëmijëve që janë të shtruar në pavionin e Onko-Hermatologjisë pediatrike në QSUT, për t’ju ofruar mbështetje dhe dashuri.

Për shkak të problemeve të tyre shëndetësore, festat i kalojnë në spital dhe jo në shtëpitë e tyre. Me lodrat e dyqanit “Shtëpia e Lodrave”, fëmijët përjetuan një gëzim të madh dhe pavarësisht se shëndeti i ka penalizuar, buzëqeshja dhe shpresa për të ardhmen vërehet në fytyrën e tyre.

Aleksandri është 10 vjeç dhe është njëri prej fëmijëve që është shtruar prej dy javësh në këtë pavion. Ai është diagnostikuar me leuçemi dhe mjekët i kanë thënë për të shkuar për një mjekim më të specializuar drejt Italisë.

Nëna e tij shprehet se e kanë të pamundur nga ana financiare sepse edhe ajo para dy vitesh ka qenë e sëmurë dhe terapitë, mjekimi i kanë varfëruar ekonomikisht.

Mirela Milori: Sa kohë keni këtu?

Nëna: Dy javë. Kam 3 fëmijë, Aleksandrin e kam binjak me motrën, goca e madhe është 14 vjeç, këta janë 10.

Mirela Milori: Ke dhe vajzën 10?

Nëna: Po! Unë para dy vjetësh jam operuar vetë nga gjiri, kam bërë shumë kimio, rreze, çdo gjë i bëra. Luftova aq shumë sa e fitova. Tani më ra halli i djalit.

Mirela Milori: Por ti je fitimtare, ti fitove vetë, do fitojë dhe Aleksandri!

Nëna: Do e fitoj, por nuk mundem dot më!

Mirela Milori: Pse?

Nëna: Nga ekonomia kam rënë shumë. Tani më kanë thënë që djalin ta nis për në Itali, por nuk mundem. Këtu na kanë pritur shumë mirë, i kanë bërë çdo gjë djalit, se ai ishte në pikën e fundit. Tani nuk është se këta nuk duan, por nuk është farmacia, mungojnë ilaçet për kurimin e djalit. Nëqoftëse shteti na ndihmon për këtë gjë.

 Mirela Milori: Mjekët këtu çfarë të thonë për Aleksandrin?

Nëna: Ma kanë nxjerrë me leuçemi.

Mirela Milori: Edhe ata ta rekomandojnë për ta çuar në Itali, apo të marrin përsipër mjekimin këtu?

Nëna: Është më mirë për Aleksandrin andej, se këtu ja kanë nisur mjekimin. Mungon farmacia këtu, jo mjekësia, jo doktorët.

Mirela Milori: Dy javë ke këtu me djalin?

Nëna: Dy javë, por çuni nuk ka asnjë lloj përmirësimi.

Mirela Milori: Me kë rri më shumë djali në spital?

Nëna: Më shumë do të rrijë me mua dhe para dy- tre ditësh më ka thënë: Mami ne jemi të fortë, kemi marrë një shpatë dhe po luftojmë dhe këto shpata do ti mbajmë në kurriz.

Mirela Milori: Ti për djalin do bëhesh më e fortë se asnjëherë, se ai ka shembullin tënd!

Nëna: Kam qenë e fortë dhe do bëhem edhe më e fortë, por kur një nënë e shikon fëmijën përtokë dhe kur e kupton çfarë ka djali.

Mirela Milori: Aleksandër çfarë do të bëhesh kur të rritesh, çfarë të pëlqen?

Aleksandër: Ta thotë mami.

Nëna: Ka më shumë qejf për kuzhinier. Kur isha unë para dy vjetësh që rrija shtrirë, bëja rreze, kimio, bëja operime dhe s’mund të ngrihesha dot, edhe ky vinte me ato duart e vogla dhe gatuante. Thoshte mami ngrihu se të kam bërë mëngjesin, bënte dhe për motrën dhe për vëllain./tvklan.al