Manastirliu: Shërbim cilësor afër vendbanimit

Të gjitha spitalet rajonale kanë tashmë aparat mamografie për të kapur në kohë kancerin e gjirit. Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu, pa nga afër investimet e reja  të mamografisë dhe laboratorin e ri në Spitalin Rajonal të Fierit

“Është një premtim i mbajtur investimi më i ri për Spitalin Rajonal të Fierit. Me këtë investim përmbyllim investimet për sa i përket mamografive në të gjithë spitalet rajonale. Nga viti 2018 deri më tani kemi investuar në çdo spital rajonal, ku mungonte mamografia, mamografi të reja, me teknika bashkëkohore”.

Një tjetër investim në Spitalin Rajonal të Fierit është ngritja e shërbimit të ri të laboratorit, pjesë e rrjetit të 18 laboratorëve publikë të investuar përmes partneritetit publik-privat.

“Përfundon në fund të korrikut shtrirja e shërbimit të ri të laboratorit në të gjithë spitalet rajonale dhe deri në fund të Gushtit e fillim të Shtatorit edhe në dy spitalet bashkiake. Nëpërmjet këtij partneriteti ne kemi garantuar që jo vetëm të mos ketë ndërprerje të shërbimeve të laboratorit që janë kaq shumë të rëndësishme, por mbi të gjitha të rritet gama dhe llojet e analizave të kryera në spitalet publike”.

Ministria e Shëndetësisë synon që deri në 2029 sistemi shëndetesor të ketë 4 pole diagnostike dhe trajtimi të plotë në katër qarqe të Shqipërisë.

Tv Klan