14 mijë turistë kanë marre shërbim në Qendrat Shëndetësore verore

Nga Durrësi teksa inspektoi qendrën shëndetësore verore, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se vaksinimi mbetet arma e vetme kundër Covid dhe mutacioneve të tij.

“Prej disa ditësh dhe përgjatë gjithë javës ne kemi mundësuar që të realizohet vaksinimi në +18 vjeç, në çdo qendër shëndetësore dhe në çdo pikë të vaksinimit të përqendruar dhe gjithashtu nëpërmjet njësive lëvizëse të vaksinimit, që tashmë janë në të gjithë vendin”.

Në qendrat shëndetësore verore po funksionojnë edhe testet e shpejta anticovid. Deri tani në këto qendra kanë marrë shërbim mbi 14 mijë turistë vendas dhe të huaj.

“Nga 15 Qershori deri më sot janë më shumë se 14 mijë vizita dhe shërbime që janë ofruar për pushuesit vendas dhe të huaj. Janë më shumë se 10 mijë pushuesit vendas që kanë marrë shërbime në këto qendra shëndetësore verore, ndërkohë që më shumë se 4 mijë janë pushues të huaj, turistë, të cilët kanë ardhur dhe kanë marrë shërbime falas në këto qendra”.

Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24 në ditë për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug.

Tv Klan