Mbërrijnë sot 11 700 doza të vaksinës Pfizer




Mbërrijnë sot 11 700 doza të vaksinës Pfizer

13:55 14/06/2021

Manastirliu: Shqipëria, zonë me risk të ulët infektimi

20 mijë doza të vaksinës AstraZeneca si donacion i  qeverisë greke mbërritën këtë të hënë në vendin tonë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu lajmëron se të tjera doza të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në mbrëmje.

“Sot presim sërish 11,700 doza të vaksinës Pfizer dhe me këtë sasi, së bashku me sasinë e mbërritur sot, si një mbështetje e qeverisë së Republikës së Greqisë, arrijmë në mbi 967 mijë vaksina të mbërritura deri tani në vendin tonë. Shumë shpejt presim edhe lëvrimin e sasisë tjetër të vaksinave Coronavac, të Sinovac”, tha ajo.

Fasha e vaksinimit ka zbritur në 57 vjeç dhe deri tani janë mbi 836 mijë vaksinime të kryera.

“Nga grupet e vaksinuara, punonjësit e shëndetësisë dhe punonjësit e qendrave rezidenciale të përkujdesit shoqëror kanë një përqindje tepër të lartë vaksinimi, pra shkojnë deri në 89% të vaksinuar. Ndërsa nga të dhënat për grupmoshat, rezulton se grupmosha 60-70 vjeçare është vaksinuar në masën 82%”.

Tashmë vendi ynë konsiderohet me riks të ulët infektimi.

“Edhe në dy javët e fundit kemi një rënie të ndjeshme të indikatorëve matës siç është incidenca dy javore, që është 5 raste/100,000 banorë ndërsa shtrimet në spitale zënë vetëm 5% të kapaciteteve tona. E krahasuar edhe me vendet e rajonit dhe me Europën, jo vetëm që kemi dalë nga zona e riskut të moderuar, por aktualisht, sipas të gjithë vlerësimeve ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet si një zonë me risk të ulët të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Sars-Cov2”.

Qeveria Shqiptare ka planifikuar të vaksinojë 1 milion persona brenda Qershorit.

Tv Klan





Të ngjashme