Opozita ka ridepozituar në Gjykatën Kushtetuese padinë për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Padi e dorëzuar në kushtetuese nga kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi është firmosuar nga 44 deputet të opozitës. Bardhi tha se PD nuk do të lejojë mazhorancën që t’i japë mbrojtje politike Olta Xhaçkës.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar i PD: Është në nderin e kësaj gjykate që pa asnjë vonesë të mëtejshme, pa i zgjatur procedurat me muaj të tërë do duhet të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga shumica parlamentare.

Padia që u depozitua këtë të mërkurë, është firmosur edhe nga dy deputete të cilat nuk i janë bindur Lulzim Bashës. Bëhet fjalë për Eralda Bano dhe Oriela Nebiaj.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar i PD: Keni ndonjë dyshim që zonja Nebijaj, zonja Tase apo me rradhë kolegë brenda grupit parlamentarë nuk janë deputetë opozitarë. Janë deputet opozitarë, kanë bërë gjithmonë opozitë dhe do të bëjnë gjithmonë opozitë.

Akuzave të Bashës, Bardhi iu përgjigj me ironi.

Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar i PD: Kush do të varrosë çështje dhe i bashkohet aksionit Edi Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Olta Xhaçkës të shkojë te byrektorja e kolegut Basha. Ka refuzuar nënshkrimin e mocionit kundra Olta Xhaçkës që në qershori të vitit 2022. Arsyet i di ai do duhet t’i shpjegojë. Është miqësia e një prej bashkëpunëtoreve të tij me Olta Xhaçkën.

Më 11 Prill me 72 vota kundër të mazhorancës dhe 39 vota pro të opozitës, Kuvendi vendosi kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Klan News