Gjimshiti sfidon Real Madrid, Manchester City duel me Gladbah

E mërkura në mbrëmje rezervon dy duelet e fundit të takimeve të para të raundit të 1/8-ave të Ligës së Kampionëve. Atalanta e Berat Gjimshiti ka një duel zjarri në Bergamo përballë Real Madrid.

“Është klubi më i suksesshëm në botë, me më shumë të ardhur dhe stemë. Për Atalantën është krenari të takosh një klub të tillë. Por ne duhet të mendojmë për fushën. Duhet që aty të japim maksimumin dhe të bëjmë një paraqitje mbi normalen,” tha trajneri i Atalantës, Gian Piero Gasperini.

13 herë kampionët e Europës nuk do kenë në dispozicion futbollistë si Benzema, Ramos, Marselo dhe Hazard. Gjithsesi, trajneri Zinedine Zidane tha se nuk duhet të ankohet dhe se e ka vlerësuar Atalantën për lojën sulmuese që bën.

“I dimë dëmtimet që kemi. Do të luajmë me ata që janë këtu dhe e dimë me kë po luajmë. Do jetë një ndeshje e vështirë, por si gjithmonë do të jetë një ndeshje e mirë e Ligës së Kampionëve dhe duhet të bëjmë mirë”

Sfida mes Atalantës dhe Real Madrid luhet sot duke nisur nga ora 21:00. Në këtë orë luhet edhe dueli tjetër mes Borussia Monchengladbach dhe Manchester City, me anglezët favorit për të kaluar më tej. Përballja zhvillohet në Budapest të Hungarisë.

Klan News